Gjatë ceremonisë së zhvilluar një nga sallat e Parlamentit të Ontarios, Kanada, ku ndër të tjerë e pranishme ishte dhe soprano me famë botërore, Inva Mula, u përcollën emocione të bukura për të gjithë shqiptarët që shijuan e duartrokitën perfomancën e saj.

Mbremja festive u moderua nga aktorja dhe këngëtarja kanadeze, Ana Golja që ka mbështetur komunitetin e shqiptarëve edhe më herët. Po kështu, të pranishëm në aktivitet ishin edhe dy artistë të tjerë të shquar shqiptaro-kanadezë Jani Papadhimitri dhe Rudin Lengo.

Veprimtaria u organizua nga grupi parlamentar liberal në bashkëpunim me Shoqatën e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze (Toronto) dhe drejtuesen e grupit të trashëgimisë, Ruki Kondaj. Me këtë rast shoqata nderoi me titullin anëtar nderi disa persona, mes tyre edhe sopranon Inva Mula shkruan ‘ata’.

Vitin e kaluar, parlamenti i Ontarios e ktheu në ligj propozimin e nje grupi deputetësh për ta shpallur nëntorin “Albanian Heritage Month” (muaji i trashëgimisë kulturore).

Nisma erdhi nga Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze e Torontos me lobimin e zonjës Ruki Kondaj, sot presidente nderi e shoqatës dhe me mbështetjen e veçantë të deputetëve liberalë Laura Albanese dhe Shafiq Qaadri.

LEAVE A REPLY