Akuza: Jaeld Çela dyshohet se fshihet në shtetin e Panamasë

0
839

 

Ish-drejtori i policisë së Vlorës Jaeld Çela, ish-shefi i postës Kufitare Dhërmi, Sokol Bode dhe ish-shefi i Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar në drejtorinë e Vlorës, Gjergji Kohila janë shpallur zyrtarisht në kërkim. Ka dyshime të forta se tre ish-funksionarët e lartë të policisë së Vlorës kanë dalë jashtë shtetit. Nga të dhënat që ka administruar prokuroria dyshohet se Jaeld Çela ka dalë nga territori i vendit dhe sipas prokurorëve ka shumë gjasa që të jetë fshehur në Panama. Arratinë e tre ish-zyrtarëve të policisë që dyshohet se janë të imlikuar në trafikun e drogës me grupin e drejtuar nga vëllezërit Habilajve, e ka konfirmuar dhe Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave.

Ndërkohë një tjetër burim i tha gazetës “Shqiptarja.com” se peracioni për ndalimin e tre efektivëve të policisë, dyshohet se kanë favorizuar bandën e Habilajve, mendohet se është dekonspiruar. Ky operacion i drejtuar prej kryeprokurorit për Krimet e Rënda Besim Hajdërmataj ka dështuar duke mos arrestuar asnjë prej 3 efektivëve të policisë. Ka qenë ora 10:30 e paradites së 22 nëntorit kur Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme, i kanë mbërritur 2 urdhër ndalime dhe 1 urdhër-arresti për ish-zyrtarët e Policisë së Vlorës.

Pavarësisht se bëhej fjalë për një urdhër arresti sekret ndaj Sokol Bodes dhe urdhër ndalimi, po i fshehtë për Jaeld Çelën dhe Gjergji Kohilan, asnjëri prej tyre nuk është arrestuar. Ministria e Brendshme sqaron nëpërmjet një njoftimi se SHÇBA ka filluar menjëherë procedurat për ndalimin e ish-zyrtarëve dhe se operacioni që drejtohej nga Kryeprokurori i Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj nuk ka rezultuar i suksesshëm.

Provat në banesë e takimi në prokurori
Ministria thotë se është mundur të sekuestrohen në banesat e personave të mësipërm në cilësinë e provave materiale, elementë që konsiderohen të rëndësishëm për hetimin. Të gjitha veprimet proceduriale nga SHÇBA-ja, pas njohjes me aktet e Prokurorisë për Krimet e Rënda dhe Gjykatës, janë drejtuar nga Prokurorët e çështjes dhe drejtuesi i Prokurorisë për Krimet e Rënda, për ndjekjen e hapave proceduriale sipas rradhës së veprimeve në interes të hetimit. Megjithë kontrollet e ushtruara në banesa dhe vendet ku dyshohej se mund të strehoheshin personat e mësipërm, nuk është bërë e mundur gjetja dhe ndalimi i tyre. Nga kontrolli në banesa dhe ambjente janë sekuestruar prova materiale, të konstatuara si me vlerë për hetimet e mëtejshme dhe i janë dërguar zyrtarisht Prokurorisë për Krimet e Rënda, Tiranë.

Përjashtohen tre oficerët
Ndërkohë Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur procedurat administrative për nxjerrjen e urdhrave të përjashtimit për këta ish-oficerë. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) ka shpallur në kërkim që prej datës 22 nëntor 2017 shtetasit Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergj Kohila dhe po punohet për kapjen e ndalimin e tyre. Në datë 23 Nëntor 2017 rreth orës 09:00, me kërkesë të drejtuesit të SHÇBA-së është zhvilluar analizë me prokurorët e çështjes dhe drejtuesin e Prokurorisë për Krimet e Rënda, për gjithë veprimet proceduriale të kryera dhe që do të kryhen në vijim, në funksion të këtij hetimi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here