Gjatë vizitës së tij në Landin e Veriut të Rhine-Vestphalisë të Gjermanisë, Presidenti Meta u prit në takim nga kryeministri i këtij Landi, Armin Laschet. Meta nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe vlerësoi rëndësinë që këto marrëdhënie kanë jo vetëm për Shqipërinë por edhe për gjithë Ballkanin Perëndimor.
Presidenti Meta falënderoi Kryeministrin Armin Laschet për mikpritjen dhe mbështetjen që i ka ofruar diasporës shqiptare në këtë Land të rëndësishëm në integrimin e tyre në shoqërinë gjermane dhe kthimin e tyre në ura bashkëpunimi dhe faktorë të rëndësishëm të marrëdhënieve dypalëshe. Ai e falënderoi kryeministrin Laschet për mbështetjen e tij në organizimin, së bashku me Konsullen e Nderit të Shqipërisë në këtë Land, Anduena Stephan, të Ditëve të Dialogut me Diasporën Shqiptare në kuadër të 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Kryeministri Laschet vlerësoi arritjet e deritanishme të Shqipërisë. Ai u shpreh optimist për hapat e mëtejshme drejt Bashkimit Evropian dhe siguroi për mbështetjen e Gjermanisë ndaj Shqipërisë në këtë proces veçanërisht interesin e këtij Landi me Shqipërinë.
Presidenti i Republikës Meta e ftoi gjithashtu Kryeministrin Laschet për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë që u prit me kënaqësi. Në takim morën pjesë edhe Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Marrëdhëniet me Jashtë, Mark Speich, Ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, Artur Kuko dhe Konsullja e Nderit të Shqipërisë në Landin Verior të Rhine-Vestphalisë, Anduena Stephan.