Friday, April 19, 2024
HomeEkonomiAdministrata publike, sërish 24 mln € detyrime ndaj privatit

Administrata publike, sërish 24 mln € detyrime ndaj privatit

-

 

Administrata shtetërore ka vijuar të krijojë detyrime financiare ndaj subjekteve dhe individëve privatë, pavarësisht nga angazhimi publik dhe ekzistenca e një VKM nr.50 datë 05.02.2014 “Për miratimin e Strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura e të planit të veprimit”.

Sipas raportimit zyrtar të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në fund të muajit shtator të këtij viti, shifra e borxheve të prapambetura që nuk u paguhen privatëve është rreth 3.18 miliardë lekë, ose 24 milionë euro. Pavarësisht se nuk është shifra gjigande, e trashëguar nga qeveria Berisha, që u llogarit në rreth 600-700 milionë dollarë, megjithatë duket se as qeveria Rama nuk po mundet t’i shpëtojë gurit të rëndë të detyrimeve.

Raportimi i detyrimeve të prapambetura të krijuara rishtazi për periudhën 1 korrik 2017 – 30 nëntor 2017 dhe i atyre të akumuluara për periudhën më afatgjatë 1 janar 2016 – 30 shtator 2017 tregon se një numër dikasteresh dhe agjencish shtetërore kanë krijuar detyrime si më poshtë.

Dikasteret
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë raporton që detyrimet për periudhën 1 korrik 2017 – 30 shtator 2017 janë në vlerën 16.9 milionë lekë. Ndërsa totali i detyrimeve të krijuara nga sistemi i MTI nga janari 2016 deri në shtator 2017 raportohet në vlerën 1.26 miliardë lekë. Këto detyrime kryesisht vijnë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, ku, përveç borxheve ndaj kompanive që realizojnë projekte të ndryshme ndërtimi të rrugëve, një peshë të madhe kanë kostot e mirmbajtjes së rrugëve, konkretisht me 636.6 milionë lekë.

Ministria e Mbrojtjes raporton se ka krijuar detyrime të reja për periudhën 1 korrik 2017 – 30 shtator 2017 në vlerën 8.2 milionë lekë. Totali i detyrimeve të prapambetura për MM është 11.2 milionë lekë.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë raporton që detyrimet e reja për periudhën 1 korrik 2017 – 30 shtator 2017 janë në vlerën 28.6 milionë lekë, kryesisht si rrjedhojë e vendimeve gjyqësore të formës së prerë në disa institucione të vartësisë së saj. Ndërsa totali i detyrimeve janar 2016 – shtator 2017 raportohet në vlerën 42.3 milionë lekë.

Ministria e Drejtësisë raporton që për periudhën 1 korrik 2017 – 30 shtator 2017 detyrimet janë në vlerën 74.6 milionë lekë dhe u përkasin vendimeve gjyqësore të formës së prerë sipas institucioneve të vartësisë. Ndërsa totali i detyrimeve nga janari 2016 në shtator 2017 për sistemin që mbulon ky dikaster raportohet në vlerën 348 milionë lekë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale raporton që për periudhën 1 korrik 2017 – 30 shtator 2017 detyrimet e krijuara rishtazi janë në vlerën 22.7 milionë lekë. Në total për periudhën janar 2016 – shtator 2017 borxhet e prapambetura janë 100.7 milionë lekë.

Ministria e Brendshme raporton që për periudhën 1 korrik 2017 – 30 shtator 2017 detyrimet e reja janë në vlerën 229.8 milionë lekë. Ndërsa totali i detyrimeve të akumuluara për MPB nga janari 2016 deri në shtator 2017 është 919.2 milionë lekë.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural raporton që detyrimet për periudhën 1 korrik 2017 – 30 shtator 2017 janë në vlerën 11.4 milionë lekë. Ndërsa totali i detyrimeve nga janari 2016 deri në shtator 2017 raportohet në vlerën 38.5 milionë lekë.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme raporton se nuk ka detyrime të krijuara rishtazi për periudhën korrik – shtator 2017, por në total ka 18.6 milionë lekë detyrime të akumuluara.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë për periudhën 1 korrik 2017 – 30 shtator 2017 ka raportuar detyrime të reja në masën 31.3 milionë lekë, kryesisht vendime gjyqësore që i janë ngarkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ndërkohë që në total MF raporton 139.1 milionë lekë detyrime të akumuluara nga fillimi i vitit të kaluar. Vetë Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve raporton se detyrimet e krijuara për periudhën 1 korrik 2017 – 30 shtator 2017 janë në vlerën 100.2 milionë lekë. Në total DPT ka detyrime të akumuluara në vlerën prej 134 milionë lekësh.

Ministria e Kulturës raporton që nuk ka detyrime të krijuara rishtazi për periudhën 1 korrik 2017 – 30 shtator 2017 dhe nuk ka as detyrime të prapambetura të trashëguara.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit raporton që detyrimet për periudhën nga 1 korriku 2017 deri në 30.09.2017 janë në vlerën 45 milionë lekë, të lindura si detyrime nga vendime gjyqësore të formës së prerë. Ndërsa totali i detyrimeve nga janari 2016 deri në shtator 2017 raportohet në vlerën 177 milionë lekë. Për projektet e infrastrukturës vendore, financuar nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, nuk rezulton të ketë detyrime të reja të krijuara pas vitit 2013.

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts