Vetëm për muajin dhjetor, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka blerë rreth 35.3 milionë euro energji elektrike. Fitues të tenderit janë shpallur 7 kompani të cilat kanë ofruar energji për OSHEE me çmime që variojnë nga 57 euro deri 94 euro për megavat.
Mësohet se tenderi për blerjen e energjisë për muajin dhjetor ka qenë i vështirë pasi kriza energjetike ka prekur të gjitha vendet e rajonit duke shkaktuar rritje të çmimeve por edhe të kërkesave për energji.
Importi i energjisë për muajin dhjetor lidhet me nivelin e ulët të Fierzës por njëkohësisht edhe me nevojat e larta të vendit për konsum në këtë periudhë. Muaji dhjetor njihet si piku i shpenzimit të energjisë elektrike si rezultat i temperaturave të ulëta.
Situata duket e vështirë edhe për dy muajt e parë të vitit të ardhshëm nëse moti do të vijoj të jetë pa reshje.
Parashikohet që ky institucion të importojë energji e cila do kap një kosto prej 50 milionë eurosh .Sasia e importuar e energjisë elektrike do të mbulojë më shumë se gjysmën e nevojave të vendit.
Blerja e energjisë elektrike për këtë vit ka rënduar edhe në buxhetin e shtetit dhe me aktin e fundit normativ këtij sektori iu dha 3 miliard lekë shtesë.