I ftuar në rubrikën, ‘Opinion’ në News24, ish ministri demokrat, Besnik Mustafaj komentoi 105 vjetorin e Pavarësisë, si dhe faktin që edhe këtë vit politika vijon të festojnë të ndarë. Mustafaj tha se ky është një imazh i shëmtuar për Shqipërinë dhe duhet një rishikim i ligjit të protokollit për ta bërë të detyrueshme pjesëmarrjen e krerëve të politikës në aktivitete të tilla.
“Nuk jepet imazh i bukur dhe nuk është hera e parë që festohet në këtë lloj mënyre. Kjo është çështje e kulturës politike dhe tregon imazhin që është i shëmtuar. Por ka një mënyrë për ta rregulluar këtë çështje. Në ligjin e protokollit duhet të jetë e detyrueshme pjesëmarrja për të gjithë protokollin. Krerët e të gjitha forcave politike duhet të jenë bashkë. Unë do thoja se duhet një rishikim i ligjit të protokollit për ta bërë të detyrueshme pjesëmarrjen e krerëve të politikes në festat kombëtare”- tha Mustafaj.
Ndërkohë sa i përket mbledhjes së përbashkët të qeverisë shqiptare me atë të Kosovës në Korçë si dhe marrëveshjeve të nënshkruara, Mustafaj tha se kjo mbledhje ishte si kënga e Ramës e para ca viteve kur ishte kryebashkiak i Tiranës ‘shumë zhurmë’, pasi edhe në mbledhjet e kaluara, marrëveshjet nuk janë zbatuar.
“Kjo mbledhje e përbashkët ishte në stilin e një vargu që ka Rama tek kënga e tij ‘shumë zhurmë’. Pra shumë zhurmë për asgjë, pasi rezultatet kanë qenë shumë të padukshme deri tani. Çfarë është arritur në mbledhjet e kaluara? Pra nuk është bërë një bilanc dhe nuk pati asnjë referencë për marrëveshjet e mëparshme. Kjo do të thotë se nuk kishte asnjë bilanc, pasi rezultatet e marrëveshjeve të kaluara kanë qenë zero. Edhe marrëveshjet e mëparshme kanë qenë në letër dhe nuk kemi asnjë siguri se edhe kjo marrëveshje të jetë thjesht në letër”- tha Besnik Mustafaj.