Basha flet për teatër: Greqia kapi 1.6 ton drogë vetëm se nuk njoftoi autoritetet shqiptare

0
725

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Rama dhe ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj se nuk po veprojnë siç duhet në luftën ndaj trafikut të drogës dhe kriminalitetit. Por sipas Bashës, ata po luajnë teatër në këtë drejtim. Nga foltorja e Kuvendit, kryedemokrati tha se autoritetet greke mundën të kapnin gomonen me 1.6 ton drogë, vetëm pasi vendosën të mos njoftonin autoritetet shqiptare për operacionin.

Sipas tij, nëse autoritetet shqiptare do të ishin njoftuar, operacioni nuk do të mund të zhvillohej, pasi do ishin njoftuar trafikantët.

“Ndërkohë që policët përdoren për të bërë klipe, në Vlorën ku Rama është kryeministër, dhe Xhafaj ka origjinën, shpërthejnë makina me eksploziv. Në vend që të luftojnë krimin, luajnë teatër. Grupet kriminale vazhdojnë të paratrazuar trafikun e drogës, pa iu hyrë gjemb në këmbë. 1.6 ton drogë në gomone u kap nga autoritetet greke, vetëm në momentin kur ata vendosën të mos njoftonin autoritetet shqiptare për operacionin. Deti vazhdon të jetë autostradë e drogës”, tha Basha.

Sakaq, kryedemokrati u ndal edhe tek paratë e dhënë nga qeveria Rama për koncesione, duke u shprehur se këto para duhet të investoheshin në funksion të qytetarëve.

“Ndërkohë që në Tiranë pushtetarët pushonin dhe gëzonin, fëmijët e Bulqizës, vazhduan të rropaten, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e tyre në të ftohtë, në shi, për një kore bukë. Pak javë më parë, Rama i mohoi botërisht këta fëmijë, në mes të Bulqizës, duke i vulosur fatin e tyre të mjeruar për sa kohë ky mban çelësat e qeverisjes. Fati i keq i përndoqi këta fëmijë edhe në shkolla. Dhjetëra fëmijë u mbytën nga tymi i një pajisje të montuar keq në shkollë. Po këto ditë, një kompani fantazmë të cilës qeveria i ka dhënë koncesionin djegies së plehrave, mori 4.8 mln euro nga buxheti i shtetit pa bërë asgjë. As ka filluar ndërtimin, as ka gërmuar themelet, asgjë.

Po si ka mundësi që një qeveri të japë 4.8 mln euro për një kompani që nuk ka bërë asgjë, dhe të mos mendojë për fëmijët e mjeruar që rropaten shpateve për bukën e gojës. Por përgjigjja është e thjeshtë, se pas kësaj kompanie qëndron Rama dhe Ahmetaj. Po kështu qeveria ka vendosur të japë një tjetër fond të majmë për zëvendësimin e palmave me pisha. Këtë mund ta bëjë vetëm nëj qeveri dhe kryeministër që i ka vënë shkelmin qytetarëve të vet. Një kryeministër që s’mund të jetë as i përgjegjshëm, dhe as serioz”, tha Basha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here