Studiuesi Erald Kapri i ftuar në “Arena” nga Dritan Hila në Ora News, thotë se diktatori jugosllav Tito investoi njerëzit e vet në Shqipëri dhe ia doli, ndërsa historiani Marenglen Kasmi shprehet se grupi komunist i Shkodrës kërkoi përkrahje nga Partia Komuniste Jugosllave.
Erald Kapri: Koço Tashko është përpjekur shumë që të kishte dhe ai një lloj veshje nga Komiterni dhe ky i fundit nuk e ka vlerësuar shumë Shqipërinë e potencialin e saj. Ishte Tito ai që investoi, e donte të kishte njerëzit e vetë këtu dhe ja doli. Jugosllavët kanë pasur një rol thelbësor në organizimin, në idetë, ideologjinë e gjithçka tjetër.
Marenglen Kasmi: Teza që ata erdhën nga Tito, ka lindur nga vetë ish-Jugosllavia. Sepse nëse shohim përpjekjet që bëjnë komunistët shqiptarë, për tu organizuar, sidomos pas sulmit që iu bë BS-së dhe kjo shërbeu si shkëndijë e përgjithshme për gjithë organizmin e kësaj rryme. Ata i kërkuan Komiternit që të vinin përfaqësues, u bënë përpjekje nëpërmjet Partisë Komuniste Italiane, por kjo gjë nuk u arrit dot. Dhe grupi i Shkodrës arrin nëpërmjet Fadil Hoxhës të ndërhyjë e të kërkojë përkrahje nga Partia Komuniste Jugosllave, për të bërë ndërmjetësimin.