Kumbaro: Do kisha shkuar partizane, regjimi i Enver Hoxhës fatkeqësi kombëtare

0
740

Përmes një statusi në ‘Facebook’, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro thotë se debati për datën e çlirimit nuk e ndryshon historinë. Ai shprehet se regjimi i Enver Hoxhës ishte një fatkeqësi kombëtare, por thotë se nëse do ishte në Luftën e Dytë Botërore do ishte rreshtuar me partizanët.
“Por, jam shqiptare dhe bash si e tillë, sikur 100 herë të më pyesin se nëse do të kisha jetuar Luftën e Dytë Botërore nga cila anë do të rreshtohesha, 100 herë do të përgjigjem “me partizanët”- thotë ndër të tjera Mirela Kumbaro duke postuar edhe një pikturë nga clirimi i Tiranës.

Statusi i plotë:
29 Nentor 2017,
Debati, me dashje i pashterruar, për datën 29 Nëntor nuk e ndryshon dot Historinë.
Pasi i lodhi mediatikisht historianët (fatkeqësisht edhe këta shpesh të ndarë në llogore politike), ai veçse vijon të mbushë tashmë portalet duke mos ndarë – sërish me dashje- 29 Nëntorin si simbol të përfundimit të Luftës Antifashiste, të rreshtimit të Shqipërisë krahas Forcave Aleate dhe të Çlirimit të vendit nga nazistët, nga fillimi i një periudhe të errët e të rëndë për historinë e Shqipërisë e të shqiptarëve, atë të diktaturës më të egër e më të gjatë që ka njohur Europa.
Me profesion nuk jam historiane prandaj nuk marr përsipër të bëj asnjë gjykim historiografik. Por jam edhe e angazhuar politikisht, e prandaj akoma më pak do e bëja një gjë të tillë, sepse historinë nuk e shkruajnë politikanët por historianët.
Por, jam shqiptare dhe bash si e tillë, sikur 100 herë të më pyesin se nëse do të kisha jetuar Luftën e Dytë Botërore nga cila anë do të rreshtohesha, 100 herë do të përgjigjem “me partizanët”. Siç bëri tezja ime që doli partizane në moshën 17 vjeç, siç bëri ati i saj e gjyshi im që i mbështeti me sa mundi financiarisht e materialisht, siç bëri familja e tim eti që numëron partizanë e dëshmorë.
Por, po ashtu 100 herë e më shumë, nuk do të rreshtja së thëni se regjimi i Hoxhës që u vendos më pas ishte një fatkeqësi kombëtare dhe aspak një përkthim i idealit për të cilën luftuan partizanët; përndryshe tezja ime s’mund të kishte dalë partizane që vetëm pak vite më vonë të dy prindërit (gjyshërit e mi) t’ia burgosnin me cilësimin “armik të popullit”; përndryshe familja e tim eti s’do të ishte radhitur me shumicë me partizanët që tim atë e jo vetëm, ta ndëshkonin në vitet 70 për “ide liberale” dhe “shkelje të vijës së partisë”, ndonëse punoi ndershmërisht e besoi verbërisht te një ideal irreal.
Asgjë e jashtëzakonshme në këto episode, përveçse një “déjà vu” e të gjitha familjeve shqiptare. Siç është pjesë e jetës së të gjithë brezit tim që jetoi fundin e viteve 80, padurimi, dëshira, përpjekja dhe veprimi, gjithkush sa mundi, – por padyshim i të gjithëve bashkë, – për të rrezuar diktaturën. Kaq.
Historinë do ta shkruajnë historianët e brezit tjetër, që do të jenë të shkarkuar nga vrandergjegjet e profesionit të ushtruar nën diktaturë. Deri atëhere shoqëria do të evoluojë më mirë.
Sot dua të them: Gëzuar 29 Nëntorin që na kujton aleancën e Shqipërisë me forcat antifashiste dhe kur përkujtojmë me përulje ata të rinj që dhanë vitet e rinisë dhe jetën për një dashuri të madhe fare, te e cila besuan fort, dashuria për Atdheun!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here