Policia italiane shkaterron banden e droges e drejtuar nga bosi shqiptar, 16 persona ne pranga

0
1200

Policia italiane ka shkatërruar një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës e marijuanës, përbërë nga italianë e shqiptarë, si dhe një senegalez. 16 persona janë arrestuar, të cilët kryenin edhe vjedhje e grabitje apartamentesh apo zyrash me qëllim financimin e aktivitetit të tyre kriminal. Shkatërrimi i grupit është bërë pas një pune të gjatë investigative nga ana e policisë së Breshias, e cila ka zbuluar gjithë veprimtarinë e grupit.

Sipas hetimeve, droga nisej nga Vlora me gomone, të cilat e zbarkonin në Kalabri e më pas, në pako 25-kilëshe, transportohej me furgonë në Breshia e qytete të tjera. Po ashtu, droga vinte me makinë edhe nga Holanda. Kreu i grupit është një shqiptar 38-vjeçar, prej 12 vitesh rezident në Itali, pa asnjë precedent penal, përjashtuar ndonjë drejtim makine në gjendje të dehur. Ai ishte i punësuar, të paktën sa për dukje, në kompaninë e transportit të gruas të tij, që në të vërtetë vlente si mbulesë për operacionet ilegale.

Kohën e kalonte në një bar, ku ishte “baza” operative për takimet dhe organizimin e dërgesave dhe pagesave. Pastaj vinte ajo, krahu i djathtë: Daniela Bognotti. Lindur më 1966, e njohur edhe si ish e dashura e një baristi nga Monticelli Brusati, Roberto Bracchi, i zhdukur mëngjesin e 15 nëntorit 2013, kur doli nga shtëpia për të kryer disa punë në Rovato. BMW-ja e tij u gjet gjatë natës, në një parkim në Travagliato. Brenda saj u gjetën gjurmë balte, ndërsa në tapetin e shoferit dhe të bagazhit u gjetën gjurmë gjaku. Hetimet e fundit janë përqendruar pikërisht mbi “të njohurit” e Bracchit dhe për një qarkullim të supozuar droge ku mendohej se ishte përfshirë, siç është pranuar edhe nga vëllai tij (si dhe nga një valixhe e gjetur në shtëpinë e nënës së tij, brenda së cilës ishin dy kile marijuanë dhe disa gramë koka). Bracchi mbante një listë me emra, me sa duket i detyroheshin disa mijëra euro. Ditën e zhdukjes telefonoi (më kot) vetëm Danielën, të cilën e kishte edhe bashkëpunëtore.

Sidoqoftë, nga ana e kolonelit të policisë Magrini hetimi për grupin italo-shqiptar nuk ka lidhje me Bracchin dhe nuk ka shërbyer për asgjë në lidhje me zhdukjen e tij dhe lidhja e vetme mes dy hetimeve është Daniela. Në maj ajo u ndalua bashkë me një djalë shqiptar, teksa ktheheshin nga Holanda me makinë, ku kishin një kile kokainë. U la në arrest shtëpie, edhe me qëllimin për të mbyllur rrethin e hetimeve.

Poshtë dyshes drejtuese të rrjetit ishin dy shqiptarë të tjerë, vëllai dhe nipi i kreut. Të dy kishin liri të plotë për gjithçka, duke organizuar kontaktet dhe transportin me Shqipërinë e Holandën, si dhe rrjetin e shitësve të vegjël në qytetet e Italisë së veriut. Organizata mendonte për gjithçka, edhe për shpenzimet ligjore të atyre që përfundonin në pranga.

Sipas kolonelit Oreste Gargano ishte një bandë e rrezikshme, deri dje, kur më në fund të gjithë përfunduan pas hekurave.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here