Reshjet intensive të nisura gjatë mbrëmjes së të mërkurës kanë shtuar nivelin e ujit në Kaskadën e Drinit duke arritur në pikën kritike. Por përtej rrezikut të përmbytjeve reshjet intensive kanë përmirësuar prodhimin e energjisë elektrike në vend. Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës bën me dije se për të menaxhuar situatën KESH ka rritur ndjeshëm prodhimin e energjisë elektrike. Ndërkohë Ministria e Bujqësisë bën me dije se aktualisht situata e përmbytjeve është nën kontroll por situata pritet të përkeqësohet në orët në vijim pasi priten reshje më intensive.
Reshjet intensive kanë rritur nivelin e ujit në hidrocentrale duke iu afruar shumë nivelit maksimal të lejuar, cka do të thotë se në orët në vijim nëse do jenë të njëjtat ritme prurjesh do vendoset hapja e porteve.
Të dhënat e fundit të Ministrisë së Energjitikës thonë se hidrocentrali i Komanit dhe i Vaut të Dejës aktualisht ndodhen shumë pranë nivelit të lejuar në bazë të rregullores për menaxhimin e hidrocentraleve, çka përbën një alarm për përmbytje për zonat përreth që njihet si zona e nënShkodrës.
Për të mbajtur nën kontroll situatën, KESH ka rritur prodhimin e energjisë, për të shmangur shkarkimet. Aktualisht niveli në hidrocentralin e Komanit është 172.80 m ndërsa, në bazë të rregullores Komani duhet mbajtur nën 173 m. Edhe hidrocentrali i Vaut të Dejës është në kuotat e 73.81 m, ndërkohë që niveli i ujit në këtë HEC duhet të jetë nën 74 m. Sipas të dhënave aktualisht uji në liqenin e Fierzës është 268.45 m nga 296 metra që është kufiri maksimal i lejuar. Ndërkohë në lidhje me situatën në infrastrukturën e kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja mësohet se të gjithë hidrovoret janë në gatishmëri përveç dy hidrovorëve në Shkodër të cilët kanë probleme me furnizimin e energjisë.
“Përjashto zonën e Shkodrës që të dy hidrovoret, i Velipojës dhe i Asit nuk kanë tension.”
Ekskavatorët e Drejtorive të Ujitjes dhe të Kullimit Lezhë, Fier, Durrës dhe Korçë po mbahen në gatishmëri për të mundësuar ndërhyrjet në rast të situatave emergjente.
Stafet tekenike të këtyre drejtorive po monitorojnë në terren situatën sidomos argjinaturat mbrojtëse të lumenjeve.Në orët në vijim pritet përkeësim i situatës pasi parashikohet intensifikim i reshjeve të shiut.
Zonat më problematike në Shkodër rezultojnë të jenë Oboti, Dajci dhe Velipoja. Banorët e këtyre zonave, ndër vite janë izoluar nga situata e përmbytjeve ku janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, por ende sot e kësaj dite nuk janë dëmshpërblyer për asnjë prej tyre.