Ish-Kryeministri Sali Berisha përmes një postimi në rrjetet sociale akuzon Kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erjon Veliaj si arkitektët e përmbytjes së autostradës Tiranë-Durrës. Postimin në rrjetet sociale, Berisha e ka shoqëruar edhe me një video, mbi vendosjen e palmave në këtë autostradë.
“Një video për Palmorin e madh, arkitektin e përmbytjes së autostradës Tiranë – Durrës!”, shkruan Berisha
Më herët, ish-kryeministri kërkoi shpalljen menjëherë të gjëndjes së jashtëzakonshme për të përballuar një situate që edhe mund të bëhet katastrofale!
“Shqipëria në tërësi, që nga dje mbasdite ndodhet nën një mot dhe përmbytje brutale tejet kërcënuese për jetët e njerëzve dhe pasuritë e tyre. Deri tani nuk ka patur viktima por dëme të mëdha materiale, dhe ndihma ndaj popullatës së kërcënuar është minimale.
Të dhënat sinoptike për orët që vijnë nuk janë premtuese. Në këto kushte është e domosdoshme shpallja menjëherë e gjendjes së jashtëzakonshme në shkallë vendi dhe mobilizimi i të gjitha potencialeve në ndihmë të zonave dhe komuniteteve më në rrezik”, shkruan Berisha.