Kryeministri Edi Rama pasi ka falënderuar të gjitha forcat që morën pjesë në shpëtimin e njerëzve dhe dhënien e ndihmës për të përmbyturit kërkoi nga Komiteti i Koordinimit dhe Menaxhimit të Emergjencave Civile identifikimin e dëmeve dhe përgatitjen me transparencë të faturës, duke mos lënë jashtë asnjë familje në nevojë. Rama tha se fokusi absolut mbetet ruajtja e çdo jete njerëzore dhe krimi i mundësive maksimale për të ndihmuar çdo kënd që ka bagëti e shpend, duke theksuar se deri tani nuk ka as jetë të humbura dhe as bagëti.
“Falënderim vëllazëror për presidentin e Kosovës dhe qeverinë e Kosovës, jo vetëm për gatishmërinë e shprehur dhe solidaritetin por edhe për dërgimin e një numri prej 5 skuadrash kërkim-shpëtimi që i janë bashkuar forcave në terren. Falënderoj edhe të gjithë partnerët e tjerë që janë ofruar për të na mbështetur në vijim, në fazën tjetër. Falënderoj të gjithë përfaqësuesit e Kuvendit të Shqipërisë pa dallim partiak të cilët kanë qenë të angazhuar në të gjithë territorin e vendit sipas zonave të kujdestarisë së tyre elektorale dhe pa diskutim të gjithë strukturat dhe forcat e angazhuara në terren pa pushim, ditën dhe natën që kanë bërë të mundur një seri të gjatë operacionesh shpëtimi duke garantuar që asnjë jetë njerëzore të mos humbasë dhe asnjë kokë bagëti të mos humbasë. Fokusi absolut mbetet ruajtja e çdo jete njerëzore dhe krimi i mundësive maksimale për të ndihmuar çdo kënd që ka bagëti e shpend”, tha Rama.
Ai u shpreh se dëmet vazhdojnë të projektohen shumë më të reduktuara se gjatë krizës së 2 viteve më parë, falë punës pa ndërprerje. “Falë angazhimit njerëzor dhe logjistik të shumëfishuar, falë pastrimit të kanaleve në të gjithë këto territore dhe falë investimeve të bëra qoftë në shtratin e lumit Vjosës qoftë edhe në bashkitë e reja, ku ndryshe nga 2 vite më parë përmbytjet nuk kanë shkaktuar situatat surreale të 2015-ës. Një risi e madhe por me vlerë të shtuar ka qenë vijimi pa pushim i operacioneve gjatë natës, me gjithë riskun e lartë të tyre për trupat e ndërhyrjes që meritojnë një falënderim të veçantë. Tani të fokusohemi paralelisht tek identifikimi një për një i të gjitha dëmeve dhe inventarizimi i të gjitha pasojave duke renditur sigurisht në radhë të parë banesat pastaj rrugët, urat, nuk diskutohet shkollat që janë prekur dhe ku duhet ndërhyrë menjëherë për të bërë të mundur që mësimi të nisë sa më parë. Fatura e zhdëmtimeve dhe kompensimeve duhet përgatitur me transparencën më të madhe dhe seriozitetin më të plotë, në mënyrë që askush nga njerëzit e prekur dhe familjet në nevojë të mos mbetet jashtë listës”, deklaroi kryeministri.
Ai theksoi se planet për rivendosjen e situatës normale të infrastrukturës duhen përgatitur me shpejtësi. “E di që ministri i Infrastrukturës ka dhënë udhëzime për ekspertët e ministrisë që jo vetëm të regjistrojnë pasojat por edhe të fillojnë një plan masa që sa të kalojë kriza të fillojë rehabilitimi. Ka një gatishmëri mbresëlënëse të shumë subjekteve private për të kontribuuar. Duhet të përgatisim edhe analizat në nivel bashkie, në nivel qarku, dhe në nivel kombëtar për të avancuar më tutje me një program të qartë që është në fakt vijimi i punës së nisur dy vjet më parë dhe plotësimi i nevojave në të gjitha aspektet sepse këto përmbytje nuk janë më një herë në 100 vjet por të përvitshme.
Sipas parashikimeve do të ketë reshje dëbore në zonën verilindore të vendit dhe për këtë dua ta përsëris që kontraktorët duhet të garantojnë që të hidhet kripa në akset rrugore që mund të preken nga dëbora siç parashihet në kontrata dhe të mos shkojmë pas dëborës por të kemi një masë të thjeshtë parandaluese”, u shpreh Rama.