Aktorja qe iku shpejt nga jeta, por la gjurme ne estraden e Shkodres

“U rikthye, preku tokën e më pas u ngjit sërish në qiell”. Aktorja Jolanda Shala erdhi në 70 vjetorin e saj të lindjes përmes një dokumentari të realizuar me skenar dhe regji të Bruno Shllakut, asistencë të aktores Drande Xhaj dhe me iniciativën e të birit Elvin Shala. Mes familjareve, miqve dhe bashkëpunëtoreve të saj ndër vite, ajo erdhi e rrëfyer ndryshe, ku ndonëse u largua shpejt nga jeta, la gjurmë të pashlyera në memorien e të gjitheve. Angazhimi i saj në estradën profesioniste solli role e karaktere të papërsëritshme, të cilat e bënë një ndër aktoret më të mira të këtij zhanri për kohën.

Me të u ndanë shpejt, pasi jeta e mori kur ishte vetëm 37 vjeçe, por nga Landi siç e thërrisnin të gjithë, ruajnë kujtime të bukura, e role që siç vetë thonë ata, vështirë të përsëriten.

Por në këtë mbrëmje nuk kishte si të mos binte në sy indiferenca dhe mungesa e pushtetit vendor, që nuk diti asnjëherë ta nderojë këtë artiste, e shumë kolegë të saj, qe jetojnë apo jo. Ftesa i kishte mbërritur por kryebashkiakja e refuzoi, ndersa i vetmi qe mori pjesë ishte kryetari i këshillit bashkiak. Jolanda Shala, lindi më 14 maj 1947 në Shkodër. Shkollën fillore e kreu në “11 Janari”, më pas mbaroi te mesmen pedagogjike “Shejnaze Juka”, për mësuese. Fillon punën në Estradën Profesioniste më 1 prill 1968.  Ndonëse karriera artistike qe e shkurtër, ajo mbeti një aktore e talentuar, duke lënë gjurmë edhe në rolet me të vogla. Veçanërisht, së bashku me mjeshtren e madhe Zyliha Miloti, krijuan një duet të këndshëm, plot ngjyresa humori në interpretimin e shumë gjinive e zhanreve të estradës. Si aktore e profilit komik, portreti i saj plotësohet me paroditë, vodevilet, komeditë e operat muzikore.., në 60 shfaqje që mori pjesë, duke interpretuar rreth 180 role. Interpretimet e saj spikaten edhe në premierat: “Ballafaqimi”, “Shigjeta thumbuese”, “Nën tik takun e orës”, “Laj e shplaj, qit në diell e thaj”, “Ngjyrat pranverore”, “Peshqeshi i fundit”; komedinë: “Fundi i një komedije” të Fadil Krajës, etj. Vdiq më 22 nëntor 1984.

LEAVE A REPLY