Ushtria në krye të përmbytjeve, në operacione 450 efektivë të FA

0
883

Situata e rëndë e krijuar në vend, kryesisht në disa zona për shkak të reshjeve të shumta të shiut të rëna gjatë 24 orëve të fundit, ka bërë që angazhimi i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë të jetë maksimal.

Përqendrimi më i madh i FA-ve, ka qenë dhe vijon të mbetet në luginën e Vjosës, ku janë evakuuar disa familje, ndërsa në operacione janë angazhuar rreth 450 efektivë të ushtrisë.

Gjatë ditës së djeshme FA-të, kanë qenë të pranishme dhe në Fushë-Krujë e Novoselë të Fierit, ku kanë bërë të mundur pastrimin e këtyre dy vendeve nga balta, si dhe kanë dhënë ndihmën me mjetet e tyre, për të larguar pjesën më të madhe të ujit.

Gjithashtu efektivët të FA-ve, nga Shkolla e Trupës në Bunavi dhe të Komandës Mbështetëse bënë të mundur forcimin e argjinaturës së trasesë të hekurudhës Fier-Vlorë. Po ashtu efektivët e batalionit të Xhenios përfunduan me sukses operacionin në ndihmë të banorëve në zonën e Frutikulturë, Valias i ri, bashkia Kamëz, për zhbllokimin dhe hapjen e kanalit kryesor.

Operacioni për zhbllokimin e kanalit zgjati 24 orë. Ndërsa, rreth 40 efektivë të ushtrisë, kanë marrë pjesë në vendosjen e thasëve me rërë në dy anët e argjinaturës se lumit Vjosë, në Darëzezë të Fierit.

Efektivët e FA-vë dhanë ndihmë nga toka dhe nga uji për banorët e Darëzezës. Pas dëmtimit të urës po ndërtohet një kalim provizor, ndërsa ka nisur transporti i banorëve përmes motobarkave nga njëra anë e fshatit në tjetrën. Ndërkohë, që disa persona janë ndihmuar dhe më pas transportuar me mjetet e ushtrisë larg banesave të tyre dhe në disa raste kur ka qenë nevoja edhe drejtë qendrave shëndetësore.

Gjatë gjithë punës së tyre në terren, FA janë inspektuar dhe përgëzuar për angazhimin e tyre nga presidenti Meta, kryeministri Rama, ministrja Xhaçka dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Kollçaku.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here