Bushati takim me zyrtaret e Brukselit, diskutim per hapjen e negociatave

0
725

Në ditën e tij të parë të vizitës në Bruksel, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati u takua me Zv. Presidentin e Parë të Komisionit Evropian, Frans Timmermans si dhe Komisionerin Avramopulos.

Ministri Bushati bëri një analizë të detajuar të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare për plotësimin e pesë përparësive kyç dhe vlerësoi mbështetjen e Komisionit Evropian për axhendën evropiane të Shqipërisë.

Ai nënvizoi se duke pasur parasysh progresin e bërë, qeveria pret që viti 2018 të jetë vit vendimtar për rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe në këtë kuadër, hapja e bisedimeve të anëtarësimit do të konsolidojë angazhimin e pandalshëm në transformimin dhe modernizimin evropianizues të vendit.

Gjatë të dy takimeve, përfaqësuesit e Komisionit Evropian vlerësuan përkushtimin në vazhdimësi të Shqipërisë për axhendën e reformave.

Në takimin me Zv. Presidentin Timmermans, Ministri Bushati theksoi se reforma transformuese në drejtësi është unike dhe po vihet ne jetë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët.

Zv. Presidenti inkurajoi vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi, si themeli për forcimin e shtetit të së drejtës dhe përparimin e procesit te integrimit.

Gjatë takimit me Komisionerin Avramopoulos, Ministri Bushati nënvizoi se rezultatet e prekshme të arritura në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, janë fryt i vendosmërisë për të forcuar shtetin ligjor.

Gjithashtu, ai theksoi se vullneti politik dhe angazhimi i qeverisë për të forcuar sundimin e ligjit janë të palëkundur dhe të pakthyeshëm.

Komisioneri Avramopoulos vlerësoi masat e ndërmarra në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçanërisht rezultatet shumë pozitive të arritura në luftën kundër kultivimit të kanabisit.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here