Spahia: Dorëheqja e mjekëve të Urgjencës tronditëse, shëndetësia në kolaps

0
753

Deputeti demokrat, Bardh Spahia, e ka cilësuar tronditëse kërkesën për dorëheqje të 8 mjekëve të Urgjencës në QSUT, të argumentuar me kushtet e vështira në të cilat punojnë.

Në një prononcim për mediat, Spahia tha se ky akt tregon dështimin e kësaj qeverie në sistemin shëndetësor që sipas tij e ka futur në kolaps.

Spahia: Kryefjala është vetëm një, mungesa të theksuara në të gjitha aspektet, një sistem shëndetësor në amulli të plotë, në çakordim të plotë, kaos total, me mungesa të theksuara në të gjitha aspektet sa i përket medikamenteve, pajisjeve mjekësore por edhe kushteve të tmerrshme në të cilat janë të detyruar të punojnë punonjësit e sistemit shëndetësor shqiptar, duke filluar nga mjekët, infermierët, personeli tjetër i sistemit shëndetësor. Gjendjen aktuale do ta konsideroja tronditëse, dorëheqjen e mjekëve të urgjencës e konsiderojmë tronditëse. Tregon në thelb dështimin e plotë të sistemit shëndetësor shqiptar nën drejtimin e kësaj qeverisje. Ky sistem ka pasur vështirësitë e veta ndër vite, edhe gjatë drejtimit tonë, por asnjëherë nuk ka qenë i rrënuar si sot në thelbin.

Pyetje: Janë të vendosur për t’u dorëhequr?

Spahia: Ka pasur një vendosmëri absolute të mjekëve dhe të personelit shëndetësor të QSUT, por në Shqipëri në përgjithësi, për ta ngritur zërin për kushtet e patolerueshme në të cilat janë të detyruar të punojnë, për mungesat ekstreme në medikamente, pajisje mjekësore por edhe në organizimin e punës së tyre.Përballen çdo ditë dhe natë me kushte ekstremisht të vështira, të cilat tashmë është e qartë që nuk janë dakord të vazhdojnë dhe ti pranojnë.

Ne jemi në mbështetje të plotë të mjekëve të Urgjencës së QSUT, kërkesave të tyre, domosdoshmërinë e ndryshimit të kushteve ekstreme në të cilat ndodhen dhe sigurisht arsyeja qëndron tek korrupsioni ekstrem që ka kap nga fyti këtë sistem. Do mjaftonte anulimi i atyre koncesioneve të famshme korruptive prej 400 mln euro, të cilat i janë dhënë njerëzve të afërt të kryeministrit Rama që me Vilma Nushin etj për të ndryshuar situatën jo vetëm në Urgjencën e QSUT por sistemin shëndetësor në përgjithësi.

Në çdo takim me mjekët, ankesat e tyre janë shumë herë më të forta se çfarë kanë deklaruar në letrën e tyre. Pakënaqësia dhe revolta mes mjekëve dhe sistemit shëndetësor është vetëm në fillimet e veta, ajo po grumbullohet dhe të jeni të bindur që mjekët ashtu siç u takon si një pjesë e elitës së shoqërisë shqiptare do të reagojnë për situatën e patolerueshme që po kalon sistemi shëndetësor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here