Borxhi, Financat propozojnë Eurobond të ri më 2018

0
76

 

Gjatë vitit 2016 borxhi publik rezulton të jetë ulur me 1.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke hyrë, për herë të parë që nga viti 2010, në trajektore rënëse. Në fakt, pavarësisht nga përpjekjet e nisura që në 2013-ën, qeveria Rama 1 nuk arriti dot në tre vitet e para të ulë borxhin, pavarësisht nga bllokimi i shpenzimeve kapitale dhe rritja e të ardhurave buxhetore. Ky borxh arriti deri në 72% të PBB-së, pasi u mor edhe hua e re nga FMN dhe BB për të mundësuar shlyerjen e detyrimeve të mëdha të prapambetura.

Tanimë, në strategjinë e menaxhimit afatmesëm të borxhit publik, të miratuar në fund të nëntorit 2017 nga Këshilli i Ministrave dhe të publikuar ditën e djeshme në Fletoren Zyrtare, është vënë si detyrë që deri në fund të vitit 2020 raporti i borxhit të qeverisjes qendrore ndaj PBB-së të arrijë në 63 për qind.

Faktorët
Një objektiv i tillë, sipas qeverisë, bazohet në disa vlerësime të caktuara, të bërë nga ekspertët e Financave. Ata mendojnë, së pari, që ritmet e rritjes ekonomike do të jenë të qendrueshme dhe do të arrijnë në 4.3 për qind nga viti 2020. Por, shteti do të duhet të përballojë, ndërkohë, një rritje të stokut të borxhit, që mendohet të vijë nga zhvlerësimi i pritshëm i lekut ndaj euros, me raporte deri në 143 lekë/euro. Kjo do të kërkonte më shumë lekë për të shlyer borxhin e marrë në valutë të huaj. Një nënçmim në masën 15 për qind i valutës vendase ndaj të gjitha valutave, në të cilat është marrë hua, do të sillte një rritje deri në 4.3 për qind të PBB-së të borxhit, ndërkohë që edhe interesat që paguhen për kreditë e marra do të shtoheshin me 2 miliardë lekë apo afro 20 milionë dollarë.

Strategjitë
Qeveria ka përcaktuar tri rrugë strategjike që mund të ndiqen për të arritur objektivat e veta në uljen e borxhit publik. Sipas varjantit të parë, në tregun e brendshëm do të përqendrohej 90% e huamarrjes dhe financimi i huaj do të përqendrohej vetëm në vijimin e objekteve në punë e sipër dhe huatë nga FMN, etj. Kjo ofron koston më të ulët. Por mund të rriste interesat e bonove të thesarit. Strategjia e dytë synon 80-85% hua në tregin e brendshëm dhe 100 milionë euro në vit hua të re të jashtme. Kjo ka kosto më të lartë, por ul rrezikun ndaj kursit të këmbimit.

Ndërkohë, rruga e tretë e propozuar është dalja në tregun financiar ndërkombëtar me një Eurobond të tretë, duke qenë edhe se ai aktuali përfundon më 2020. Po qeveria e sugjeron këtë që të kryhet që në vitin 2018 dhe me një vlerë prej 400-500 milionë eurosh. Kostoja është më e lartë akoma, por siguron fondet në valutë për ripagesa borxhesh që janë të shumta në vitin 2019.

Krahasimi
Sipas ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Shqipëria lë pas vetëm Serbinë përsa i përket madhësisë së borxhit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndërsa, në fund të vitit të kaluar, vendi ynë shënonte në këtë raport 71 për qind, Serbia ishte në nivelin e 73 përqindëve. Më mirë në rajon paraqitet Kosova me 14.58 për qind, ndërkohë që Bosnje-Hercegovina rezulton në më pak se 30 për qind. Ndërkohë që Maqedonia është në nivelin e 40.9 përqindëve, Mali i Zi afrohet me 63.7%.

Borxhi i lartë përbën një rrezik serioz për prishjen e parametrave makroekonomikë, ndaj të gjithë konsulentët e huaj e vendas këshillojnë për një vend si Shqipëria një nivel jo më të lartë se 40 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

LEAVE A REPLY