Friday, January 17, 2025
Home Politikë Bushati: Shqipëria, e përgatitur për të hedhur hapin vijues në procesin e...

Bushati: Shqipëria, e përgatitur për të hedhur hapin vijues në procesin e integrimit

0
743

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati tha se qeveria shqiptare mendon se Shqipëria është tashmë e përgatitur për të hedhur hapin vijues në procesin e integrimit.

Gjatë takimit me homologun e tij holandez Hable Zijlstra, në kuadër të punimeve të Ministerialit të NATO-s në Bruksel, Bushati theksoi se qeveria e konsideron hapjen e bisedimeve si fillimin e një procesi transformues në rrugëtimin evropian të vendit.

Nga ana e tij, ministri Zijlstra theksoi se perspektiva e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë në BE është e padiskutueshme. Duke nxjerrë mësime nga eksperiencat e mëparshme të zgjerimit, të cilat rezultuan të nxituara sidomos lidhur me plotësimin e kritereve për forcimin e shtetit ligjor dhe mirëqeverisjes, Holanda dëshiron të hedhë hapa të matur por të vendosur përsa i përket politikës së mëtejshme të zgjerimit.

Ai vlerësoi lart bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve, në mënyrë të veçantë mes organeve policore dhe e inkurajoi Ministrin Bushati që qeveria të vijojë me ritmin dhe dinamikën e reformave.

“Vijimësia në arritjen e rezultateve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do ta bëjë të natyrshme mbështetjen për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit”, theksoi ai.

Ministrat biseduan lidhur edhe me forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve duke pasur parasysh se Holanda është investitori i dytë më i madh në Shqipëri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here