Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka zhvilluar një mëngjes pune me ish-kryeministrin e Italisë, Romano Prodi. Ky i fundit ndodhet në vendin tonë, ku mori pjesë në konferencën “Roli i ndërkombëtarëve në tranzicion”, në të cilën vlerësoi ndryshimet e jashtëzakonshme të Shqipërisë dhe përpjekjet në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Meta shkruan në ‘Facebook’ se ka diskutuar me Prodin për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, si dhe për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Ndërsa e cilësoi të drejtë propozimin e ish-kryeministrit itlaian për të ndërtuar një simbol të turizmit shqiptar.
“Një mëngjes pune me mikun e shqiptarëve, profesor Romano Prodin, me të cilin diskutuam për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona e të ardhmen europiane të Shqipërisë. I drejtë propozimi i mikut tonë për të ndërtuar një simbol të turizmit shqiptar, që do promovonte edhe më fuqishëm rritjen cilësore të turizmit e përfitimeve”, shkruan Presidenti Meta.