Arratisja e dy lojtarëve të Vllaznisë dhe masat që u morën ndaj ekipit dhe familjeve të tyre

0
1012

Para viteve ’90, mjaft ekipe klubesh, si Partizani, Vllaznia, 17 Nëntori, Dinamo dhe Flamurtari janë ndeshur rregullisht në Europë, ku kanë bërë edhe paraqitje dinjitoze në mjaft takime ndërkombëtare. Dhe jo vetëm futbolli, por edhe mjaft sportistë të tjerë, si volejbollistët e Dinamos (meshkuj e femra), peshëngritës, atletë, qitës etj., etj., morën medalje të arta dhe ngritën flamurin e Shqipërisë në mjaft stadiume të Evropës.

Ata sportistë i dhanë shumë sportit shqiptar, emrit të atdheut dhe morën pak prej tij, apo më saktë prej regjimit në fuqi të paraviteve ’90. Por kjo ishte e keqja më e vogël, pasi shumë sportistë, me dhjetëra emra të mëdhenj të sportit shqiptar u bënë objekt demaskimi, u përjashtuan nga sportet, u internuan, u futën deri edhe nëpër burgjet e atij regjimi. Dhe kjo jo vetëm për shkak të biografisë së tyre familjare, por edhe për shkaqe sa banale për atë kohë, aq edhe qesharake për brezin e të rinjve të sotëm.

Sot nuk mund ta imagjinohet dot se si emra të mëdhenj të futbollit shqiptar, si djemtë e Flamurtarit të Vlorës në gjysmën e viteve ’80, që bënë të dridhen gjigantët e Barcelonës, u ndaluan në pikat tona doganore, për një çakmak, orë dore, letra bixhozi, paketë cigare, shall grash, radio-magnetofon, apo rrallë dhe një aparat televizori. Dhe për këtë fakt, shumë prej tyre u përjashtuan nga sporti përgjithmonë apo u dërguan në fshatrat më të thella të vendit, si disa prej futbollistëve të Vllaznisë.

Nisur nga ajo që i priste në Shqipëri, disa nuk u kthyen më fare dhe kërkuan azil politik, si p.sh. Lulëzim Bërshemi e Arvid Hoxha, futbollistë të ekipit Vllaznia në vitin 1987. Ja çfarë shkruhej asokohe për ta:

PARTIA E PUNES E SHQIPERISE Shkodër, më 17.11.1987

KOMITETI I PARTISE SE RRETHIT Sekret D.8 Nr. 15.02 Ekz. Nr. 1

LENDA: Informacion mbi ngjarjet e ndodhura gjatë udhëtimit në Finlandë të ekipit të futbollit “Vllaznia” dhe mbi masat e marra me këtë rast.

KOMITETIT QENDROR TE PPSH (Sektorit të Edukimit)

Incidenti i katër futbollistëve me policinë në Helsinki

Më datë 1.11.1987, u nis për në Finlandë për ndeshjen e kthimit me ekipin “Rovienemin”, ekipi i futbollit “Vllaznia”. Gjatë kthimit, më datë 5.11.1987, në një dyqan të Helsinkit, katër futbollistë të ekipit “Vllaznia” janë zënë nga policia e rajonit duke vjedhur plaçka. Në polici janë bërë procesverbalet përkatëse për secilin dhe me insistimin e drejtuesve të ekipit janë lënë të lirë të shkojnë. Për këtë problem drejtuesit janë përpjekur të bëjnë qetësimin e ekipit dhe vetë personave. Pasi është qëndruar në Budapest, në orën 23:30 të datës 6.11.1987, ekipi ka arritur në hotel “Athinasi” të Athinës. Këtu janë sistemuar nëpër dhoma, sipas ndarjes që kanë pasur nëpër qytetet e tjera.

Largimi nga hoteli dhe arratisja e dy futbollistëve në Athinë

Gjatë kohës së fjetjes, pa dijeninë e drejtuesve të ekipit është bërë një ndërrim dhome. Këtu Lulëzim Bershemi ka mashtruar futbollistin Ilir Kepa, me të cilin ishte caktuar në dhomë, duke i thënë se është porositur nga drejtuesit e ekipit që të flejë me Arvid Hoxhën, kurse ai (Iliri), të flejë me Kujtim Shabën. Kështu është vepruar, megjithëse ndarja nga drejtuesit e ekipit ka qenë Ilir Kepa dhe Lulëzim Bërshemi në një dhomë dhe Kujtim Shaba e Arvid Hoxha në dhomën tjetër. Ky ndërrim gjatë gjithë natës nuk është marrë vesh nga drejtuesit e ekipit.

Siç thuhet, drejtuesit e ekipit kanë qëndruar zgjuar deri në orën 02:45 të datës 7.11.1987, ndërsa shokët e ambasadës janë larguar nga hoteli në orën 02:00. Në orën 05:45 të kësaj date, shoferi ynë në kohën që po zbrisnin, ka njoftuar drejtuesit e ekipit se portieri i hotelit ka lajmëruar se dy futbollistë të ekipit, të dhomës 314, kanë dorëzuar çelësin dhe kanë dalë në orën 03:30 për të shëtitur.

Menjëherë kanë shkuar në dhomë, ku kanë gjetur çantat sportive me sendet e tyre personale. Pastaj kanë njoftuar ambasadën dhe së bashku me ta kanë kërkuar me telefon në të gjitha rajonet e policisë së qytetit, nga të cilët është dhënë përgjigjja se “nuk dimë asgjë”. Kanë kontrolluar edhe rajonin përreth dhe s’kanë konstatuar asgjë.

Çakmakë, letra bixhozi dhe sahate kontrabandë, të fshehur në autobus

Së fundi, me porosi të shokëve të ambasadës sonë në Athinë, është bërë nisja. Në doganën tonë ka rezultuar se përgjithësisht i gjithë grupi ka qenë brenda normave. Por pas kontrollit të autobusit nga doganierët, ka rezultuar se janë bërë disa çarje, ku janë gjetur 3 sahate, 2 çakmakë dhe një palë letra, të cilat nuk janë identifikuar se kush nga pjesëtarët e ekipit i ka futur.

Nën drejtimin e Komitetit të Partisë së Rrethit u analizuan me kujdes në të gjitha hallkat e sportit të gjitha këto ngjarje të ndodhura në ekipin “Vllaznia” gjatë rrugës për në Finlandë e kthim. Analiza të tilla u bënë vetë në ekipin e futbollit, në organizatën bazë të Partisë të Klubit, në Komitetin e Fizkulturës si dhe në ekipet e tjera sportive. Gjatë analizave, u dënua me indinjatë dhe urrejtje të thellë tradhtia ndaj atdheut e dy futbollistëve Arvid Hoxha dhe Lulëzim Bërshemi. Gjithashtu u kritikuan dhe u dënuan edhe shfaqjet e huaja që janë vërejtur në disa pjesëtarë të ekipit të futbollit. Kështu u dënuan raste të thyerjes së disiplinës në ekip, të plaçkomanisë, e deri në vjedhjen e katër futbollistëve në Helsinki.

Masat dhe dënimet për trajnerët, mjekun dhe disa futbollistë

Për të gjitha këto dhe për të përmirësuar gjendjen në ekip, u morën këto masa: Për punë të dobët edukative dhe drejtim të keq të ekipit jashtë shtetit, përgjegjësit politik Bahri Axhemi A.P. (anëtar partie) iu dha nga organizata bazë e partisë vërejtje më shënim në kartën e regjistrimit, si dhe u shkarkua nga detyra e Kryetarit të Komitetit të Fizkulturës së Rrethit. U emërua definitiv mësues në fshat.

Trajnerit Astrit Hafizi iu hoq e drejta për të drejtuar ekipet e futbollit për dy vjet dhe u caktua me emërim definitiv mësues në Pult të Dukagjinit. Ndihmëstrajneri Esat Rrakiqi u emërua mësues definitiv në Shllak. Këtij, edhe për qëndrim jo të rregullt gjatë rrugës për në Maltë e kthim. Mjeku i ekipit, Zydi Çoba u caktua me emërim definitiv mjek në Pult të Dukagjinit. Kapiteni i ekipit, Ferit Rragami u përjashtua për 2 vjet nga futbolli dhe u emërua mësues definitiv në Pult të Dukagjinit.

Për vjedhjen që u bë në Helsinki, dy futbollistët e ekipit, V.L. dhe SH.K. u përjashtuan përgjithmonë nga futbolli dhe u dërguan me dënim për të punuar në Fabrikën e Tullave. Për shfaqje të huaja u përjashtuan përgjithmonë nga futbolli futbollistët Faslli Fakja dhe Agim Maliqati, të cilët sot vazhdojnë të kryejnë shërbimin ushtarak. Këto masa iu bënë të njohura të gjitha ekipeve sportive të rrethit, të cilat gjetën solidarizim të menjëhershëm.

Menjëherë me një grup trajnerësh, u bë rigjenerimi i ekipit prej 22 vetash, ku u bë kujdes që në radhët e tij të futen të rinj me formim të shëndoshë edukativ dhe nga familje me qëndrim të mirë moralo-politik. Duke nxjerrë mësime nga ngjarja e ndodhur nga Komiteti i Fizkulturës i Rrethit dhe nga Klubi “Vllaznia”, nën udhëheqjen e organizatës bazë të partisë po merren masat e nevojshme dhe  po forcojmë më tej punën politiko-ideologjike, edukative me sportistët, në luftë me shfaqjet e huaja në sport e jashtë tij, duke ngritur më lart vigjilencën revolucionare.

Masat që u morën në Shkodër për familjet e tradhtarëve

Masa u morën edhe për familjet e dy futbollistëve që tradhtuan. Babai i tradhtarit Lulëzim Bërshemi, që ishte anëtar partie dhe punonjës në Degën Ushtarake, u përjashtua nga Partia dhe u largua nga Dega Ushtarake. Ndërsa për xhaxhain e tij, Ibrahim Bërshemi (Hajdari), që ishte anëtar partie, është propozuar për ta përjashtuar nga Plenumi i Komitetit të Partisë së Rrethit.

Babai i tradhtarit tjetër, Arvid Hoxha, Isuf Hoxha u largua nga aparati i Komitetit Ekzekutiv, ku ishte punonjës në seksionin e Kontroll-Revizionit, dhe u dërgua me dënim në fabrikën e Lëkurë-Këpucëve. Xhaxhait të tij, Qemal Hoxha, anëtar partie dhe instruktor në Komitetin e Partisë së Rrethit, iu dha nga organizata bazë e Partisë vërejtje e rëndë me shënim në kartën e regjistrimit si dhe u largua nga Aparati i Komitetit të Partisë së Rrethit, për ta caktuar në një detyrë tjetër në bazë.

Ndërsa xhaxhai tjetër, Hivzi Hoxha, u largua nga detyra e kryetarit të lagjes. Në organizatën bazë të partisë dhe në lagje u diskutua dhe u kritikuan ashpër për punë të dobët edukative edhe prindërit e futbollistëve që kanë vjedhur dhe të atyre që paraqiten me shfaqje të huaja. Këto masa gjetën miratim shumë të mirë në masë, u caktuan objektiva e detyra konkrete për thellimin e mëtejshëm të punës politike e ideologjike dhe për edukimin patriotik, revolucionar e qytetar të njerëzve tanë, si dhe për formimin e mëtejshëm të vigjilencësn revolucionare. Në veçanti për këto probleme u mblodh edhe Byroja e Komitetit të Partisë së Rrethit.

LEAVE A REPLY