KOSOVA NË PRAG TË NGËRÇIT, BLLOKOHET VOTIMI I BUXHETIT PËR VITIN 2018-TË NË SEANCËN E PARË

0
952

Kuvendi i Kosovës nuk arriti të miratoi në parim në seancën e sotme plenare buxhetin 2018.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, paralajmëroi se projektligji për Buxhetin do të hidhet edhe një herë në votim gjatë kësaj seance, pa saktësuar kur, ndërsa konstatoi se në sallë ishin 88 deputetë të Kuvendit me 120 anëtarë, prej tyre 60 morën pjesë në votim -58 ishin pro, 1 kundër e 1 abstenoi.

Veseli tha se do ta vendosim edhe një herë në votim gjatë kësaj seance. Por më vonë seancën e mbylli pa përsëritje të votimit, që pritet të bëhet në një seancë tjetër. Agjencia Telegrafike Shqiptare bën ,e dije se kryetari i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se “projektligji nuk kaloi dhe maxhoranca nuk i ka votat e fuqinë politike për ta kaluar”.

“Pas dy dite të diskutimeve për Buxhetin e vitit 2018, ne i kemi dhënë vlerësimet tona, ju sapo e nxjerrët në votim dhe votat nuk i keni, ne mund të votojmë 10 herë, deri në 12 të natës, por votat për ta kaluar projektligjin sot nuk i keni, po shihet fuqia politike që ka kjo qeveri, është mirë që të reflektoni se si të vazhdohet me tutje”, tha Hoti.

Projektbuxheti, i cili parashikon të ardhura të përgjithshme 1 miliard e 829 milionë euro, ndërsa shpenzime 2 miliardë e 82 milionë, nga maxhoranca kishte mbështetje me vlerësim se siguron stabilitet financiar të shtetit, e nga ana e opozitës kishte kritika e paralajmërim votimi kundër pasi, sipas saj, kthen situatën e para vitit 2015 kur ka pasur planifikim të dobët buxhetor.

Në mbrëmjen e djeshme, derisa prania e vogël e deputetëve të mbetur në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës nuk e bënte kuorumin, me propozimin dhe rënien dakord të grupeve parlamentare u vendos që seanca të ndërpritet, për të vijuar sot nga ora 10:00.

Në vazhdim sot të seancës, e cila u përmbyll, në shqyrtim të parë ishin dhe kaluan tre projektligje të tjera:Ratifikimi i Marrëveshjes Financiare për projektin e konkurrueshmërisë dhe gatishmërisë për eksport ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim; Ratifikimi i Marrëveshjes Financiare për financim shtesë për Projektin për bujqësi dhe zhvillim rural ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim; mbi masat doganore për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.

Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në një seancë të re plenare me vetëm një pikë në axhendë: Shqyrtimi i Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here