Gjatë vizitës në Bruksel, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj zhvilloi një takim me anëtarët e Parlamentit Evropian, Eduard Kukan dhe Gianni Pitella.
Gjatë bisedës, Kukan vlerësoi arritjet e Shqipërisë.
“Po përpiqemi për çeljen e negociatave. Reformat e nisura duhet të vazhdojnë”, tha Kukan.
Ai shtoi në bashkëbisedimin me ministrin e Brendshëm Xhafaj se ekziston një atmosferë e mirë brenda institucioneve të BE-së në Bruksel, duke shtuar se kanë nisur shumë procese të cilat duhet të përfundojnë ku Ministria e Brendshme ka rol kryesor.
“Siç e kam thënë shpesh, BE do të ndihmojë, por ju jeni ata që do ta kryeni procesin”, tha Kukan.
Ministri Xhafaj e falënderoi eurodeputetin për ndihmën e dhënë për reformën në drejtësi dhe theksoi se implementimi mbetet një proces shumë i rëndësishëm.
Në takimin me eurodeputetin Gianni Pitella, Xhafaj kërkoi nga BE-ja të ndjekë procesin e implementimit të reformës në drejtësi. Sipas tij, kjo reformë mund të jetë shembull për rajonin.
Ministri informoi deputetët e PE-së mbi rezultatet e vitit 2017 në luftën antikanabis dhe i njohu me detaje të përgjithshme nga Plani i Veprimit kundër krimit të organizuar dhe grupeve kriminale/Operacioni “Forca e Ligjit”.
Ministri nënvizoi se duke pasur parasysh progresin e bërë, qeveria pret që viti 2018 të jetë vendimtar për rrugëtimin evropian të vendit. Ministri theksoi se vullneti politik dhe angazhimi i qeverisë për të forcuar sundimin e ligjit janë të palëkundur.