Angazhimet gjatë përmbytjeve/ Rama premton shpërblim e rritje pagash për ushtarakët, ja kur do ndodhë

0
988

Gjatë aktivitetit për falënderimin e Forcave të Armatosura për punën e bërë gjatë ditëve të vështira të përmbytjes, kryeministri Edi Rama premtoi shpërblim e rritje pagash për ushtarakët.

Kreu i qeverisë u shpreh se asnjë shpërblim nuk ishte i mjaftueshëm për punën e ushtarakëve të angazhuar për shpëtimin e njerëzve në nevojë gjatë përmbytjeve.

Rama tha se qeveria do të vendosë një shpërblim si mirënjohje për daljen me sukses nga emergjenca e rrezikshme.

“Pavarësisht nivelit të lartë profesional dhe nivelit të lartë patriotik tuajin , ne nuk kemi arritur dot t’ju shpërblejmë si e meritoni, dhe mbi të gjitha që të mbyllim hendekun e pajustifikuar mes jush e policisë së shtetit, kur vjen fjala për shpërblim financiar, i cili s’mund të arrijë kurrë deri aty ku ju meritoni, se ajo që bëni ju, nuk mund të shpërblehet kurrë financiarisht, por është kuptimplotë. Sot qeveria do vendosë një shpërblim si shprehje mirënjohje për të gjithë ata që u përfshinë në emergjencën e rrezikshme, në mënyrë që të gjithë familjet e ushtarakëve, në radhë të parë për ata që ishin në vijën e zjarrit. Ata duhet të ndjehen mirë këtë fundvit. Dhe sot angazhohem që viti 2018 do të jetë i fundit në të cilin buxheti i shtetit do të ketë rrogat ekzistuese për ju” tha Rama.

Rama tha se jemi të vendosur të rrisim buxhetin e ushtrisë, buxhetin për mbrojtjen gjë që e kemi bërë me buxhetin e vitit 2018, duke premtuar rritje të pagave të ushtarakëve në vitin 2019.
“Por rritja do vazhdojë në vijim për të arritur objektivin që jemi angazhuar në NATO dhe e para rritje prioritare për vitin 2019 do jetë rritja e konsiderueshme e të gjitha pagave të ushtarakëve. Kjo është dita për të kërkuar mirëkuptimin e të gjithëve ju lidhur me faktin e thjeshtë se jo gjithçka është e mundur kur duam, por kur mundemi. Falë reformave dhe ndryshimeve të vazhdueshme që po forcojnë shtetin do jemi në gjendje t’ia dalim në këtë aspekt dhe të shlyejmë një borxh moral ndaj të gjitha FARSH. Besoj se emergjenca ka vlejtur për të gjithë për të vlerësuar FA-të për atë që janë në jetën e tyre të përditshme, por që janë jashtë syve dhe vëmendjes së opinionit”, theksoi kryeministri Rama.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here