Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Znj. Monika Kryemadhi u prit në një takim nga kongresmeni i njohur dhe miku i madh i shqiptarëve, Elliot Engel. Takimi u fokusua në zhvillimet më të fundit politike në Shqipëri.
Kryemadhi pasi falënderoi z.Engel për mikpritjen e ngrohtë, vlerësoi rolin dhe kontributin e tij të vazhdueshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, për zhvillimin dhe integrimin Euro-Atlantik të Shqipërisë, si dhe për forcimin e shtetit ligjor dhe demokracinë në vend.
Kryemadhi duke u ndalur tek marrëdhëniet mes dy vendeve, theksoi se SHBA ka dhënë ndër vite një ndihmë të jashtëzakonshme historike për Shqipërinë që ajo të kapërcejë me sukses sfidat e mëdha me të cilat është përballur dhe të hedh hapa të sigurt drejt zhvillimit.
“SHBA është aleati ynë më i madh strategjik dhe ka një rol të pazëvendësueshëm në historinë, të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë”, tha kryetarja e LSI-së.
Gjithashtu, Kryemadhi bëri një ekspoze sintetike të situatës aktuale politike në vend duke vënë theksin tek problematika e kanabizimit, të trafiqeve, si dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kryetarja e LSI-së foli edhe për domosdoshmërinë e avancimit të zbatimit rigoroz të reformës në drejtësi. “Zbatimi i reformës në drejtësi ka rëndësi jetike për qytetarët shqiptarë dhe klasa politike ka përgjegjësi madhore për të mos humbur më kohë në këtë proces”, tha ajo.
Nga ana e tij, kongresmeni Elliot Engel vlerësoi miqësinë e kahershme mes dy vendeve dhe popujve tanë. Ai konfirmoi mbështetjen e SHBA në proceset e mëtejshme demokratizuese në Shqipëri si dhe vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon si një faktor stabiliteti dhe paqeje. Gjithashtu, ai theksoi se sfidat dhe reformat e nevojshme për Shqipërinë do të kenë gjithmonë mbështetjen e SHBA.