Friday, April 19, 2024
Home Politikë Kryemadhi: Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm kërkon 84 vota

Kryemadhi: Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm kërkon 84 vota

0
652

 

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, thotë se çështja e e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm duhet të zgjidhet sipas Kushtetutës që nuk lë vend për interpretime.

Zonja Kryemadhi thotë se prokurori që do të zëvendësojë zotin Llalla, duhet të zgjidhet me shumicë të cilësuar dhe jo të thjeshtë.

Kryemadhi: Në qoftë se ne kemi një Kushtetutë e cila thotë se Prokurori i përhershëm zgjidhet me 94 vota dhe Prokurori i Përgjithshëm i propozuar nga KLP zgjidhet me 84 vota, atëherë kjo është shumë e qartë. Dhe Kushtetuta ka vendosur një dispozitë të tillë që nuk lë vend për interpretim, qoftë nga institucionet konsultative të Parlamentit por nuk e lë që ta interpretojë as Gjykata Kushtetuese. Pra as Gjykata Kushtetuese nuk e ka mundësinë dhe fuqinë ligjore për të interpretuar vendimet kushtetuese që ne i kemi marrë 1 vit e gjysmë më parë. Problemi qëndron nëse ka apo jo vullnet politik për ta zgjidhur. Zgjidhja e çështjes së Prokurorit të Përgjithshëm është nga gjërat më të rëndësishme. Kemi tre muaj që flasim për këtë çështje. Pse vjen ditën e fundit propozimi nga Kryeministri që të ulemi dhe të bisedojmë?

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” me gazetaren Menada Zaimi, Kryemadhi tha se asnjë tryezë politike nuk mund të zgjidhë një çështje të rëndësishme sikurse ajo e Prokurorit të Përgjithshëm.

Kryemadhi: Çështjet e drejtësisë nuk zgjidhen në tryeza por zgjidhen në parlament. Nëse do të vazhdojmë të zgjidhim çështjet me tryeza politike, në qoftë se ne do të vazhdojmë të zgjidhim çështjet të cilat janë shumë të rëndësishme për shqiptarët, siç është reforma në drejtësi pasi po shpresojnë që të ketë një reformë të tillë që ata të zgjidhin hallin e tyre, dhe nëse do të ulemi prapë në tryeza politike, në allishverishe politike, ne nuk kemi bërë asgjë, nuk kemi bërë as reformën në drejtësi dhe as nuk e kemi nxjerrë Shqipërinë nga tranzicioni në të cilin është. Është shumë e rëndësishme të ulemi në institucionet parlamentare. Ne na kanë kaluar të gjitha afatet. Që në shkurt duhet të kishim ngritur Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Këshillin e Lartë Gjyqësor etj, duhet të ishte ngritur KED.

Kryemadhi ndodhet në Uashington për një vizitë pune, ku ndër të tjera ka zhvilluar takime me Zv. Drejtorin për Europën dhe Euro-Azinë Don Stolworthy dhe Zyrtaren për Çështjet Ndërkombëtare Stephanie Larsen.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here