Rregullorja e re, leje ndërtimi edhe rreth objekteve kulturore

0
1190

 

Qeveria shqiptare ka bërë një ndryshim të rëndësishëm në Rregulloren e Planifikimit të Territorit, duke lejuar që, në zonat turistike bregdetare, intensiteti i ndërtimit dhe koeficienti i shfrytëzimit të tokës në nivel zone të banuar të rriten mbi atë ekzistues, pavarësisht nivelit ekzistues të urbanizimit. Një ndryshim tjetër, po kaq i rëndësishëm është ai që lidhet me brezin rrethues të objekteve që janë klasifikuar si monumente culture. Rregullorja e re ka hequr kufizimin e ndalimit në një brez më pak se 100 metra.

Kjo ishte ndaluar shprehimisht nga Rregullorja e mëparshme, e miratuar dy vjet më parë, më 29 korrik të vitit 2015. Në këtë mënyrë, tani institucionet shtetërore që japin lejet e ndërtimit mund të lejojnë që në këto zona banesat dhe objektet e ndryshme tregtare të jenë më të shumta e më të dendura se sa deri tani dhe po ashtu koeficienti i shfrytëzimit të tokës nga investitori të jetë më i lartë se nivelet e lejuara aktualisht.

Rregullorja e re e Planifikimit të Territorit ka hyrë tashmë në fuqi, pas publikimit në Fletoren Zyrtare të radhës dhe masi ishte miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të datës 22 nëntor 2017. Ajo hartohet në zbatim të ligjit nr. 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me qëllim përmbushjen dhe shtjellimin e përcaktimeve të tij. Rregullorja e planifikimit të territorit paraqet rregulla të unifikuara për strukturën, përmbajtjen dhe hapat e hartimit, zbatimit, monitorimit të zbatimit të planeve, me qëllim detajimin e procedurave të planifikimit në nivel qendror dhe vendor dhe arritjen e njëtrajtshmërisë së formës e të strukturës së dokumenteve të planifikimit në zbatim të ligjit.

Ndryshimi i mësipërm duket se është kërkuar me forcë nga investitorët në fushën e turizmit, të cilëve iu është hapur së fundmi drita jeshile nga ana e Ekzekutivit, sidomos me lëshimet e bëra në Paketën Fiskale të vitit 2018, ku hoteleve me 5 yje u mundësohet mospagimi i taksave për një periudhë disavjeçare. Por në Rregulloren e re të Territorit nuk bëhet dallim vetëm në favor të objekteve të luksit, kështu që lejet për një koeficient më të lartë të shfrytëzimit të truallit mund t’u jepen paskëtaj edhe hoteleve shumë më modestë. Por një gjë e tillë kufizon edhë më tej hapësirat e gjelbëra dhe pasuritë e tjera natyrore, në favor të shfrytëzimit maksimal të terrenit për ndërtime.

Ndërkohë, ka mbetur në fuqi e njejta distancë, që duhet respektuar në zonat turistike në bregdet dhe liqen për rrugët e reja për qarkullimin tranzit të kategorive “autostradë” dhe “rrugë interurbane”. Këto të fundit lejohet të ndërkohen në largësi nga vija e bregut, jo më afër se 300 metra në distancë reale dhe normale me vijën e bregut përgjatë gjatësisë së saj. Veç kësaj, rrugët e nevojshme të shërbimit për këto kategori nuk vendosen në hapësirën midis rrugës dhe bregut.

Objektet kulturore
Ndërkohë, një ndryshim tjetër, i cili nuk mund të mos bjerë në sy, është ai që lidhet me brezin rrethues të objekteve që janë klasifikuar si monumente kulture. Deri tani, në fuqi ka qenë norma që, rreth objekteve, të cilët klasifikohen si monumente kulture, përcaktohet një sipërfaqe toke e pandërtueshme si zonë mbrojtëse, në përputhje me vlerat e tyre arkitektonike, me përshtatshmërinë e tyre urbanistike, territoriale dhe estetike, me rrethinën dhe me rrethanat ekologjike e mjedisore.

Në rast se përmasat nuk janë përcaktuar në ligj apo akte nënligjore dhe zona mbrojtëse nuk është shpallur ende nga ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore, gjerësia e vazhduar e saj nuk duhet të ishte më e vogël se 100 metra, thuhej në Rregulloren e 2015-ës.

Pikërisht kjo klauzolë e fundit është hequr tani nga qeveria. VKM-ja e fundit përcakton thjesht se “Përmasat e zonës mbrojtëse dhe rregullat e kushtet zhvillimore në të përcaktohen në përputhje me legjislacionin e posaçëm për trashëgiminë kulturore dhe me ligjin”. Në këtë mënyrë, nuk ka më një ndalim për të lejuar ndërtime në afër se 100 metra nga objekte të trashëgimisë kulturore të vendit. Në këtë mënyrë, një kryetar bashkie mund të japë leje që të ndërtohet një lokal ngjitur me muret e një kalaje apo ministrja e Kulturës për të ndërtuar në Parkun e Butrintit.

Brezat e ndaluar
Rregullorja përcakton që, në territorët turistike bregdetare, ku ka një brez të ndaluar për ndërtime, përmasat e brezit të ndaluar duhet të rriten në përpjesëtim të drejtë me arsyen për mbrojtje, në rast se kushtet fizike të bregut ujor janë të tilla, që tokat janë të përmbytura ose kërcënohen nga përmbytja, rrëshqitja, erozioni dhe paqëndrueshmëria e tokave; bartin vlera natyrore, ekonomike, peisazhistike, vlera kulturore, mjedisore, të cilat mbrohen nga dispozita ligjore sektoriale në fuqi; bartin çështje të rëndësisë kombëtare, të cilat ruhen dhe/ose zhvillohen sipas legjislacionit të posaçëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here