Gjatë vizitës së tij zyrtare në Francë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka takuar Princin e Monakos.
Në një foto të shpërndarë në Facebook, Meta shkruan se ka patur një takim të mrekullueshëm në Marsejë me Princin Albert II.
Kreu i shtetit shqiptar shkruan se në bisedat e tyre, diskutuan për çështjet e Mesdheut dhe të ruajtjes së mjedisit, ku përmend dhe një projekt të rëndësishëm.
“Të dashur miq, sot në Marsejë pata një takim të mrekullueshëm me lartësinë e tij, Princin Albert II të Monakos. Diskutuam për bashkëpunimin mes dy vendeve tona, sidomos në çështjet e Mesdheut dhe të ruajtjes së mjedisit, ku ai shquhet për përkushtimin dhe angazhimin e tij serioz.
Ramë dakord në veçanti për projektin e rëndësishëm të Sazan-Karaburunit, të cilin ai u angazhua se do ta vizitojë gjatë vitit të ardhshëm,” shkruan Meta.