Gjoka: Skuadra nuk ngre kokë sepse po na masakrojnë me kritika

0
2604

Trajneri në prag të sfidës në Vlorë vlerëson Flamurtarin, por minimalisht kërkon që të mos dalë të paktën pa pikë nga kjo ndeshje

Vllaznia kërkon rezultat pozitiv në takimin e javës së 14-të të Superiores. Edhe pse ka përballë një kundërshtar shumë të fortë si Flamurtari dhe aq më tepër që ndeshja në fjalë luhet në fushën vlonjate, humbja e pësuar javën e kaluar në shtëpi me laçianët i detyron kuqeblutë të kërkojnë patjetër një rezultat pozitiv. Në konferencën për shtyp dhënë mesditën e së premtes në mjediset e Bashkisë Shkodër, trajneri i kuqebluve, Ernest Gjoka, bëri të ditur se skuadra që ai drejton ka punuar me shumë seriozitet në procesin stërvitor për të eliminuar defektet e paraqitura në ndeshjet e kaluara, përfshirë edhe atë të fundit me Laçin në “Loro Boriçi”. Sipas tij, Vllaznia do të këmbëngulë fort për të marrë një rezultat pozitiv. I pyetur nga gazetarët shkodranë, Gjoka ka folur gjithashtu edhe për problemet e mbartura me klubin vlonjat gjatë kohës që ai drejtonte Flamurtarin, ku ka pohuar se nuk ndikon aspak një gjë e tillë tek ai.
Profesor, nesër (sot) një përballje e vështirë ndaj Flamurtarit. Ka ndryshuar ndonjë gjë Vllaznia pas asaj humbje disi të papritur me Laçin?
Sigurisht që duhet të punojmë fort për të ndryshuar disa gjëra. Ishte një humbje që nuk e prisnim, ishte një humbje ku edhe mund ta kishim evituar për të kërkuar maksimumin, por në futboll ndodh gjithçka. Tashmë na del për detyrë që të shkojmë në Vlorë, ndaj një ekipi si Flamurtari, që është ndër më të mirët për momentin në Superligën e futbollit shqiptar që të arrijmë një rezultat pozitiv.
Shumë problem keni hasur gjatë kësaj periudhe të fundit, si me presidencën dhe klubin vlonjat në lidhje me rrogat e prapambetura. Mund të ndikojnë këto probleme për këtë ndeshje?
Këto janë problemet e mia private, kështu që s’kanë lidhje me skuadrën. Gjithsesi, unë nuk kam patur kurrë probleme. Kanë qenë thjesht çështje juridike, por mendoj që nesër (sot), nuk do të ndikojë fare një gjë e tillë në këtë ndeshje, sepse është tjetër çështje. E rëndësishme për ne është që të në Vlorë, të jemi të qetë dhe bëjmë atë që duhet të bëjmë.
Rezultat pozitiv do të thotë vetëm fitore apo edhe me një barazim do të jeni i kënaqur?
E rëndësishme është të kuptojmë, që në këto momente ku jemi, Vllaznia të dalë nga kjo ndeshje me diçka. Pra, që të mos dalim pa gjë nga transferta me Flamurtarin.
Një skuadër që pëson shumë gola, keni menduar që të ndryshoni diçka në skuadër në këtë drejtim nga gabimet e mëparshme?
Sigurisht që po punojmë shumë për të korrigjuar defektet. Po dënohemi shumë shpesh nga gabimet që po bëjmë. Duhet të japim moral dhe duhet të mbështesim skuadrën dhe të arrijmë të besojmë te këta futbolliste që kemi. E kemi thënë gjithmonë që kemi probleme në mbrojtje. Një nga problemet kryesore është edhe dëmtimi i Pjeshkës. Është një nga lojtarët kyç të skuadrës, dhe kjo ndoshta lë edhe hapësirat mbrapa. Por, gjithsesi unë besoj dhe shpresoj tek ekipi që kemi në dispozicion se do të bëjë më të mirën e mundshme dhe do të dalin patjetër nga kjo situatë. Sigurisht, jo çdo gjë bëhet shpejt, ndonëse kohë nuk kemi në dispozicion, por do të mundohemi. Ju kërkoj edhe juve, të gjithë bashkë, ta mbështesim skuadrën dhe të besojmë tek futbollistët tanë.
Ka mungesa Vllaznia për këtë takim?
Vetëm Pjeshka është. Edhe Bardulla është që sot (dje) në stërvitje nuk ia doli dot, pasi vazhdon prapë me atë dëmtimin e vjetër të tendinit. Pjesa tjetër është e plotë 100 përqind.
Do të ketë ndryshime në formacion nga takimi me Laçin?
Sigurisht që do të ketë ndryshime. Do ta filloj nga Krymi ku mendojmë të bëjmë një mesfushë më të fortë. Duke pasur parasysh karakteristikat e Krymit ku do të jetë së bashku me Tafilin dhe Hasanin që do zhvendoset në të majtë.
Me këto ndryshime në fushë, cila mendoni se mund të jetë pika më e fortë e Vllaznisë në takimin me Flamurtarin?
Unë po mundohem të imponoj diçka në skuadër që pika e fortë e skuadrës duhet të jetë gjithmonë grupi. Në qoftë se do të arrijmë ta kuptojmë këtë, atëherë do të ecim vetëm përpara. Në një lojë si futbolli nuk bëjnë dallimin individët. Ndryshimin e bën grupi. Kjo është ajo që ne po imponojmë dhe po mundohemi të transmetojmë tek skuadra.
Një problematikë që i keni mëshuar ka qenë ngërçi psikologjik. Vazhdon të jetë akoma prezent në skuadër?
Po, padyshim se në skuadra të pozitave siç jemi ne, një nga problemet kryesore është se si do të rikuperojmë anën psikologjike. Sepse në momente që ne krijojmë, besojmë dhe mundohemi të menaxhojmë situatën, na kthehet edhe në krahun tjetër. Madje ka pasur raste si ajo e Laçit, që kurrsesi nuk duhej të humbej ndeshja, për atë që prodhoi skuadra në fushën e lojës, pavarësisht se shumë na kanë kritikuar dhe është e drejtë. Unë mendoj që duhet të kuptojmë se gjëja kryesore është forca e grupit. Dhe duke arritur ta kuptojmë këtë, pastaj gjërat shkojnë vetëvetiu mirë. Por, kjo është pak e vështirë, sepse janë rezultatet ato që s’po na lenë. Janë rezultatet, është edhe tifozëria që sigurisht ka shumë të drejtë. Janë kolegët e mi që çdo gjë e shohim jo mirë. Dhe të gjitha këto pastaj kalojnë në trysni për skuadrën. Prandaj kërkoj që me shumë respekt dhe dashamirësi, që të gjithë ta mbështesim skuadrën. Sepse, është kollaj që të japin opinione, por e rëndësishme, që më kollaj është që të japim pozitivitet, sepse po t’i biem çdo gjëje vetëm për keq, atëherë asgjë nuk shkon mbarë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here