Ende nuk ka asnjë motiv për vrasjen e Aleksandër Ndokës në qytetin e Lezhës. Megjithëse Ndoka nuk ka pasur konflikte, por ndërkohë i biri i tij Samuel Ndoka është arrestuar nga policia më 29 tetor të këtij viti.
Ai bashkë me kushërinjtë e tij më 25 qershor plagosën me armë zjarri Florian Dushkun, aktivist i LSI-së. Gjatë arrestimit, Samuel Ndokës iu sekuestruar një armë pistoletë me 7 fishekë.
Shtetasi Samuel Ndoka, 18 vjeç, banues në Lezhë ishte në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për Ndokën, për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Në momentin e arrestimit, gjatë natës (27-28 tetor) Samuel Noka ka qenë së bashku me Paolo Marinaj, i dënuar për vrasje me dashje të mbetur në tentativë. Ata kanë tentuar t’i shmangeshin policisë duke u fshehur në makinën e Altin Mikaj. Ndaj këtij të fundit u mor masa e arrestit në flagrancë për veprën penale “Përkrahje e autorit te krimit”.
Më 25 tetor në pranga përfundoi Danjan Ndoka 20 vjeç. Dy kushërinjtë akuzohen se u perfshinë në konfliktin me armë të ditës së zgjedhjeve, 25 qershor 2017 , në Shëngjin ku mbeti i plagosur aktivisti i LSI, Florjan Dushku. Këtij të fundit iu bë një atentat dhe me 22 tetor, ku mbeti i plagosur.