Friday, March 29, 2024
HomeIntervistaINTERVISTA E PLOTË/ Jozefina Topalli: Rama e Basha janë bashkë, duhet një...

INTERVISTA E PLOTË/ Jozefina Topalli: Rama e Basha janë bashkë, duhet një “8 dhjetor” i dytë për t’i shembur

-

Një nga zërat më të fuqishëm dhe me influencë në Partinë Demokratike, Jozefina Topalli sot në Ditën e Rinisë, ku mijëra studentë u ngritën për të shembur komunizmin, bën një deklaratë të fortë. E ftuar në emisionin “Studio e Hapur” me Eni Vasilin në “News24”, ndonëse jashtë Parlamentit, Jozefina Topalli thotë se ka ardhur koha për një “8 dhjetor” të ri, që të rrëzojë këtë klasë politike.

Sipas saj, lideri i PD-së, Lulzim Basha, për të cilin thotë se po e mban me forcë e dhunë PD-në është bërë bashkë me kryeministrin e vendit Edi Rama dhe kanë mes tyre jo thjesht interesa politike, por edhe financiare. Për t’i rrëzuar, Topalli thotë se duhet një “8 dhjetor” i dytë.

INTERVISTA E PLOTE

Sot është një ditë e rëndësishme “8 dhjetori”, një ditë që të kujton një gjë të rëndësishme kur studentët brohoritën frazën e famshme “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Pas gati çerek shekulli ata që e premtuan realizimin e kësaj ëndrre duket se e kanë thyer premtimin, kanë dështuar. Është e vërtetë kjo?
Është në tërësi një ëndërr e thyer. Jo vetëm kur themi apo ëndërronim se vendin duhet ta shihnim si gjithë Europa, nuk donim të ishim thjesht në BE, por donim të ishim të barabartë në të gjitha aspektet me qytetarët e Europës, por është një ëndërr e thyer, e largët. Duhet të ishte një moment reflektimi, por me klasën politike nuk besoj se ka një moment reflektimi, nuk besoj se ka për të pasur një analizë, pse kemi varfëri? Pse jemi këtu? Pse shqiptarët duan të ikin? Pse flitet për një rritje të varfërisë? Pse brezi i ri e sheh veten të pamundur? Pse ikën jashtë dhe kthehen në korrierë droge? Kjo është gjëja më e dhimbshme që mund t’i ndodhë një vendi, nuk ishte kjo ëndrra. Pse shqiptarët u dyndën e vrapuan pas një ëndrre? Sot nuk ka një ëndërr.

Ka, se Europa vijon të jetë ëndërr…
Mendoj që ai është një projekt, po ëndrrën dua ta shoh ndryshe. Unë them që ëndrra është rrëzuar rrugës. Është një moment për ta ndalur hapin për të parë më me sinqeritet nga qytetarët, për të parë ku janë dhimbjet e tyre. E ndjen se shqiptarët janë në një moment gati depresioni. Ne jemi rebeluar, ka patur raste kur jemi ndjerë keq, por të deprimuar shqiptarët nuk kanë qenë kurrë. Sot shqiptarët janë të deprimuar.

Ju e bëni përgjegjëse partinë që keni përfaqësuar. A ka ajo një lloj përgjegjësie për këtë ëndërr të thyer?
Unë fola me ne, nuk është vetëm tek klasa politike është më shumë se kaq. Ka shumë shkaqe që ndikojnë, historike, aktuale të tjera arsye që ndërhyjnë në indin dhe fibrën e shoqërisë sonë dhe konvulsionet që kjo shoqëri po jeton sot, por e marrë edhe në mënyrën më të thjeshtë dhe të dhimbshme kur lexon se janë 180 mijë shqiptarë që jetojnë me më pak se 3 dollarë në ditë, është një klithmë. Apo kur lexon raportet e BB-së që 32,8 % e shqiptarëve jetojnë me më pak se 5 dollarë i bie të jenë 1 milion shqiptarë. Pak ditë më parë po lexoja për një ekonomist indian që e ftojnë në një universitet në Torino, foli më shumë në planin filozofik se sa për ekonominë. Ai u shpreh se: Nëse kualitetet morale nuk qëndrojnë në një shoqëri, ekonomia nuk rritet. Unë besoj se rasti i tillë është edhe për Shqipërinë.

Nga “8 Dhjetori” lindi edhe Partia Demokratike që e drejtoi vendin për 13 vjet. A ka mbetur në PD ajo fryma e vitit ’90. A ka sot lidhje PD me atë parti? Jo vetëm personazhet por edhe filozofia.
Partia Demokratike ka sjellë lirinë. Liria funksionon, në këto 20 vite kanë ndodhur ndryshime drakoniane. Jemi të lirë. Kemi thënë atë që mendojmë kemi ecur përpara në rrugën e integrimit, jemi pjesë e NATO-s. Unë nuk mendoj se sot përfaqëson ndonjë gjë nga ajo që ka qenë ëndrra e viteve të fillimit. Po të më pyesësh thellë-thellë nuk di në ja vlen, dhe a ka ndonjë gjë nga emri i PD. Kanë marrë siglën e PD, por aty mbaron çdo gjë. Kjo është ndjesia ime, qofsha e gabuar.

Zemra e partisë është grupi parlamentar, në këndvështrimin e ëndrrës së “8 dhjetorit” si e shihni atë?
Nuk dua të përgjithësoj. Në shumë raste sillet midis mediokritetit dhe vulgaritetit. Kam bindjen e thellë se s’ka asnjë lidhje me atë të 8 dhjetorit 1990, sepse ka rrëzuar vlerat dhe parimet. Funksionon me një miks të asaj që është ambicia financiare dhe axhenda politike e lidershipit të këtij grupi, që nuk e quaj grupi i PD sepse s’ka ardhur nga Partia Demokratike dhe as nga forumet, s’ka asgjë nga vlerat dhe parimet mbi të cilat është ngritur kjo forcë.

Ju mungon ajo sallë zonja Topalli, përplasjet, argumentet, keni kaluar aq kohë në atë sallë?
Kam menduar se do më mungonte, janë më shumë se dy dekada e përfshirë emocionalisht, mendërisht e fizikisht 24 orë në 24 orë. Jo, kur e shoh sot nuk më mungon. Më bën të mendoj që ai teatër i shëmtuar i aktorëve që janë bashkë në interesat që ato ndajnë, se kam fjalën vetëm për interesa politike, është e shëmtuar. Nuk është ajo për të cilat lindi 8 dhjetori.

Ju po thoni që Rama e Basha janë bashkë në interesa financiare, jo vetëm politike në marrëdhënie partnerësh?
Ata janë bashkë në një marrëdhënie shumë opake.

E lidhni me marrëveshjen e 18 majit?

Është një marrëveshje e nëndheshme edhe para 18 majit, që u bë gjatë majit më vizive, por edhe më pas. Ke për ta parë edhe në muajt që vijnë.

Si e shihni këtë?
Është e dhimbshme kanë thyer besimin dhe ëndrrat e shqiptarëve. Harrojnë që shqiptarët kuptojnë. Është një klasë politike që kërkon një betejë të fortë. Kur unë bëja politikë e kam sulmuar për dy gjëra Edi Ramën. Secili që bëhet kryeministër, i kam thënë Edi Ramës, se një kryeministër që drejton një qeveri ku populli kërkon të ikë, i ikën mbi 200 mijë vetë dhe vendi është i mbuluar nga droga, një rekord shumë i zi. E kam akuzuar Edi Ramën në çdo seancë parlamentare. Nëse shqiptarët besojnë se ekziston një alternativë ata kanë shpresë. Nëse mendojnë që nuk ekziston kjo rrugë, zgjedhin të ikin.

Ju po bëni njëlloj përgjegjës Bashën?
Njëlloj jo, se do isha e pandershme por, në proporcion i takon po aq pjesa e fajit për largimin e të rinjve dhe familjeve shqiptare.

Për çfarë arsyeje?
Mund të dish dhe mund të mos dish të drejtosh vendin. Por nëse interesat financiare mbizotërojnë mbi dhembshurinë dhe dashurinë që duhet të kesh mbi vendin tënd, portat e së ardhmes janë të mbyllura. Ndaj them që kjo klasë politike ka nevojë për reformim të thellë. As të rinjtë që janë sot në politikë nuk përfaqësojnë me të vërtetë të rinjtë shqiptarë.

Zonja Topalli, ju ia vini deri tani përgjegjësinë edhe opozitës sigurisht për këtë mungesë shprese, por ju kujtoj se ju e goditët Lulzim Bashën në fillim të fushatës, pastaj u tërhoqët, u publikuan lista, por pastaj zëri kundër në PD erdhi dhe u bë më i dobët. A mund të themi sot se s’ka zëra kundër në PD?
E kundërta është në fakt. Çdo ditë e më shumë bindem se kam bërë gjënë më të mirë që kam thënë të vërtetën time, atë që unë kam besuar. Koha që kalon, mua më jep të drejtë. Fakt është që gjatë fushatës sheshet ishin bosh, kur në fakt demokratët ishin mësuar të dyndeshin në shesh si asnjë forcë tjetër, pas fushatës sallat ishin bosh, sot ke një kryetar që ecën vetëm, që nuk takon asnjeri, që sillet nëpër zyra të një godine që është bosh, një oborr bosh e me kafe. Kjo s’ka qenë asnjëherë PD, për aq sa e njoh. Kemi kaluar periudha ulje-ngritje magnetizmi, ndryshime të jashtëzakonshme, ndjeheshim mirë kur arrinim disa objektiva.

Tani çfarë po ndodh ku janë zërat kundër. Ka pasur edhe një përçarje mes vetë zërave kundër, nuk u bëtë asnjëherë bashkë?
Janë të gjithë bashkë, janë shqiptarët të gjithë bashkë që janë tërhequr dhe po shohin, nuk i shkojnë më pas.

Jeni dorëzuar?
Jo, jo. Po ta shpjegoj. Askush prej atyre që kanë besuar tek PD nuk dorëzohen. Fakti që po hesht nuk do të thotë se jam në qoshe dhe indiferente ndaj politikës, në fakt është e kundërta. Ka qenë një periudhë dhe po e shihja se opozita do ta kapte për shkak të krizës që po kalon qeverisja aktuale, pas gjitha skandaleve asgjë nuk ndodhi. Të dy palët përpiqen të mbulojnë e shantazhojnë njëri-tjetrin, për një pazar të ri. S’ka nevojë të jesh shumë në politikë për ta lexuar këtë. Kam filluar ta lexoj me kohë. Duhet koha e caktuar për një “8 dhjetor” të ri. Unë besoj se të rinjtë shqiptarë kanë për t’i dhënë vendit të tyre një “8 dhjetor” të ri. Nuk e di formën, mënyrën, si do jetë mënyra dhe koha, por di që kjo klasë politike ka dështuar.

Pra, nuk jeni pajtuar me idenë se Basha do rrijë për një kohë të gjatë në PD…
Unë nuk pajtohem me një njeri që e merr karrigen me dhunë, e uzurpon atë dhe e përdor për interesa financiare të familjes dhe oligarkëve.

Si mund të mbahet peng një parti me dhunë, forumet institucionet?
S’ka forume, ke dëgjuar të mblidhen ndonjëherë. Unë nuk jam pajtuar kurrë, por Basha nuk do ta lëshojë kurrë atë karrige, vulën dhe siglën do ta mbajë peng derisa shqiptarët të vendosin që të bëjnë zgjidhje dhe të gjitha humbjet që do pasojnë ai do t’i quajë fitore. Ndaj them që ka ardhur koha për një “8 dhjetor” të ri.

Brenda PD po thoni?

Brenda gjithë klasës politike se 20 e ca vite më parë, 8 dhjetori ndryshoi rrënjësisht politikën shqiptare. Ashtu e kalbur siç është ka nevojë për një lëvizje endemike.

Do viheshit në krye të kësaj lëvizje?
Besoj se ka nevojë për një “8 dhjetor” po aq të madh sa i pari. Nëse e para ishte diktaturë që kishte mbytur çdo qelizë të mendimit dhe lirisë, ky i dyti është diktaturë e korrupsionit dhe mjerimit, por s’ka dhunë më të egër dhe gjë më fyese se sa kontratat që bëjnë politikanët shqiptarë.

Do viheshit në krye të këtij 8 dhjetori, qoftë edhe parimisht?
As parimisht as taktikisht. Unë kam ndalur hapin, pasi dikush ka vendosur të mos jem në atë sallë. I falënderoj me gjithë zemër që s’jam sot në atë Parlament. Më shumë se kurrë jam e bindur se duhet një reformë e madhe.

A mendoni se do jeni sërish pjesë e atij Parlamenti?

Nuk e di, sinqerisht. Mundet po, mundet jo.

A do vijë dita që do e shohim Jozefina Topallin si pjesë të një formacioni politik përveç PD?Nuk e kam menduar. E di që ka një vakum të madh në politikë, një mos përfaqësim të thellë, a do vijë një forcë e re politikë këtë nuk e di. Fakti është që edhe skena botërore dhe europiane ka zhvillime të jashtëzakonshme. Janë kohë që nuk e dimë çfarë ndryshimesh do sjellim.

Çfarë do t’ju ulte me Lulëzim Bashën në një tryezë?
Asgjë, kam qenë e ulur dhe kam ikur vetë. Është fyese ta kesh në krye të tryezës atë, fyen veten. Kohët do ta tregojnë më shumë unë sot s’kam dëshirë të flas për Lulzim Bashën, është konsum shpirtëror i madh.

E akuzuat Bashën që …
Do isha më e qetë që të mos flisja për këtë. Ishte konsum i madh.

Çfarë do bënit ju sot sikur të ishit kryetare e PD. Jemi në një situatë të kanabizimit të vendit, ju çfarë do kishit bërë?
Keni parë ndonjë sjellje, reagim politike ndaj kësaj situate të paprecedentë? Zero. Cila ka qenë sjellja; “ta fusim në burg, ta fusim në burg”. Kjo nuk është sjellje politike. Janë shqiptarët shumë më përpara sesa opozita. Janë këto momente për të cilat njeriu mendon dhe nga informacionet, dhe të kaluarat e shokut Lulzim, e kupton se gjëja është më e ndërlikuar.

Po luan Rama një “shah” politik më të mirë?
E ka fituar vazhdimisht.

Është më i aftë Rama?
Vërja emrin si të duash, por një kryeministër që ka një vend të kanabizuar dhe që populli do të ikë nga vendi i tij, është i dështuar. Po aq simetrike është edhe opozita.

A ka kampi socialist, që ju e vlerësoni për këto 20 vite, një personazh që mendoni se ai mund të jetë një burrë shteti?
Ndoshta pozicioni i kryeparlamentares më ka bërë që unë të kem komunikim me shumë grupe parlamentare. Po, unë kam pasur respekt për shumë socialistë. Dhe sot nuk i ndaj shumë si forcë politike, atëherë i kam parë me profile njerëzore. Aty ku gjeje një porcion të humanizmit në sjelljet politike, vlerësimi ishte më i madh. Sot politika ka nevojë për më shumë humanizëm.

Pra nuk ka një emër…
Jo kam, por s’po më vjen askush ndër mend tani. Ka shumë që vlerësoj, nga të gjitha anët. Nga ana njerëzore por edhe politike. Kanë qenë të pastër, kanë dalë me duart të pastra. Kushdo që ka dalë nga politika me duart të papërlyera, i ka bërë nder vetes dhe vendit, e familjes së tij.

Një nga personazhet që nuk është akuzuar për korrupsion dhe që ka dalë me duart të pastra nga politika. Ka që ju duan shumë dhe ju urrejnë shumë. Bini dakord me këtë?
Ashtu është.

Jeni personazh që polarizoni shumë…
Është perceptim. E ndjej, e kam ndjerë. Sot përpiqem që ta kuptoj kur nuk kam kuptuar diçka.

Do i riktheheshit asaj historisë së ‘zheleve’ që ju ka ngelur si një frazë…
Më vjen keq që më ka ngelur, edhe pse ne shkodranishten time nuk ka atë kuptim të papëlqyer që jep tek të tjerët. Nuk e kam kuptuar që jepte një ndjesi jo të mirë ajo fjalë. Më vjen keq.

Ia keni thënë një deputeti të opozitës, që “kapeni prej zhelesh dhe nxirreni jashtë”. Kjo nuk mund të ketë një konotacion të mirë zonja Topalli (qesh)…
(Qesh) Jam dakord me ju, jam plotësisht dakord. Kam kërkuar ndjesë. E përsëris prapë se kur e mendoj nuk më vjen mirë. Por do kërkoja nga ju që të më kuptonit se kur nis seanca plenare në 10:00 të mëngjesit dhe nuk mbyllet deri në 00:00 të natës, kur ishte buxheti apo seanca të ndryshme, dhe ti ke përpara aty forca pa fund, që sulmojnë kryeministrin, vazhdonin me mua dhe që flisnin pa mikrofona. Unë isha aty dhe duhet të moderoja dhe thosha me vete, “Oh Zot, më ndihmo që t’ja dal”. Në 8 vite, shumicës së rasteve ia kam dalë mirë, në disa raste jo, dhe për këtë kërkoj ndjesë.

Thamë se do flasim për “zonjën e hekurt” të Parlamentit dhe e lamë mënjanë atë frazën për të cilën pendohemi, por unë pothuajse në 20 vite gazetari ju kam parë shpesh herë në momente të vështira. Siç ishte kur Ilir Meta kishte hipur mbi tavolinat e qeverisë dhe bërtiste, por se di çfarë thoshte. Çfarë thoshte?
Nuk e mbaj mend. Por ishte një moment që s’e kuptova dhe s’e mendoja se do të ndodhte.

Cili ka qenë për ju momenti më i vështirë? Kam dëgjuar nga gazetarët e Parlamentit se deputetët me njëri-tjetrin kanë pasur fjalor të ulët…
Jo nuk dëgjohet. Ajo ka qenë pjesa që mua më ngarkonte shumë dhe nganjëherë më dukej karrigia e kryetarit të Parlamentit si një karrige elektrike, si një torturë. Dhe unë do duhej të dukesha sikur asgjë nuk ndodhte dhe se s’kuptoja asgjë. Në fakt kishte momente që isha tmerrësisht keq. Përpiqesha ndonjëherë që të shkëputesha për nja 3 minuta, kisha një zyrë aty afër. Kisha frikë se po mos të tregohesha e vendosur, dikush mund të mendonte që isha e ashpër, kisha vendosur të zbatoja rregulloren. Nuk dija si të gjeja një instrument tjetër për të kaluar momentet e vështira. PS apo PD kur janë në opozitë apo maxhorancë, ato qëndrojnë në vendimet e tyre dhe më pas të linin apo jo për të bërë seancë plenare. Ndaj kur merrej vendimi që do të prishej seanca plenare, dhe unë e kuptoja se ishte marrë një vendim i tillë, qytetarët nuk e dinin se si merrej ky vendim. Por kryetari i Parlamentit është në një pozicion jashtëzakonisht të vështirë. Por që unë jam ndjerë tmerrësisht keq kur kanë bërë mocionin e parë kundër meje, kisha vetëm 6 muaj që isha zgjedhur kryetare e Kuvendit dhe thosha “Pse po ma bëjnë këtë”. Ndoshta edhe pak e pastërvitur me politikën, me ambientin e politikanëve, ku bashkëpunon edhe pas krahëve për të goditur dikë. Pastaj ka qenë një tjetër moment i vështirë, kur për 3 muaj në Parlament i binin bilbilave dhe unë përpiqesha që të ruaja qetësinë. Imagjino kur më vinin me mjete të tilla, njëherë morën dhe mikrofonin dhe nisën të këndonin në Parlament, nuk dija çfarë të bëja. Por dija vetëm një gjë, që duhet të votoja ligjet. Unë vazhdoja dhe votoja ligjet. Ishte një situatë e pazakontë, një dëmtim i rëndë i parlamentarizmit. Qoftë për qytetarët që shihnin ato skena, por edhe për të huajt që shihnin se çfarë ndodhte në Parlamentin shqiptar. Kemi parë pamje ku deputetet goditen në Parlament si në vendet aziatike.

Po dhe ju keni bërë, siç ka qenë fakti kur ju keni ndezur një qiri, në mos gaboj për përmbytjet në Shkodër….
Ka qenë rasti kur në Vlorë u mbytën shumë djem dhe vajza të reja. Por po flas për sjelljet e dhunshme kur goditen me karrige. Momenti më i rëndë që s’kam për ta harruar kurrë, ka qenë kur isha në tavolinën time duke drejtuar seancën plenare, dhe Rama u kishte thënë deputeteve që të rrethonin tavolinën dhe mos të drejtoja seancën. Ata i binin tavolinës me shkelma dhe më merrnin mikrofonin dhe s’më linin të drejtoja seancën, aty gati jam dorëzuar. Kjo ka qenë shumë e rëndë. Ndonjëherë është më e lehtë të drejtosh me burrat se i vë një vend limiti vetes.

I keni diskutuar më pas me ato zonja? Në mos gaboj ka qenë zonja Arta Dade…
S’ka rëndësi të përmend emra. Vendimi ishte marrë nga grupi i PS, dhe s’kam fajësuar asnjëherë zonjat, kam fajësuar Edi Ramën.

Po thoni se i ka përdorur…
Për fat të keq po. Gratë kur janë në fillimet e veta, edhe përdoren. Ndaj edhe kuotat janë shumë të rëndësishme, por edhe aq e rrezikuar është që të përdoren qoftë në karrigen e ministres apo të deputetes.

Ka qenë moment i vështirë kur drejtonit seancën kur disa kolegë tuajt ishin në grevë urie?
Po e kujtoj, shumë i vështirë.

Pse e pranuat këtë?
U imponuam. Çfarë do bënim. Ata kërkonin një anëtar të KQZ. Ishte shumë e rëndë për mua. Edhe kur e kanë bërë grevën e urisë brenda sallës së Parlamentit edhe gjatë seancës plenare jam përpjekur që pas mbylljes së Kuvendit të komunikoja me ta. T’u plotësoja kushtet, kaq mund të bëja. Edhe për momentin kur kanë hyrë deputetët e PS në grevë urie, poshtë zyrës time, ndihesha shumë keq. E dija që ishte një sjellje politike për të mbuluar një humbje. E kuptoja arsyen politike, por ndihesha e shqetësuar që ata ishin në grevë urie.

Kujtuam grevën e Metës, aktin e tij për të hipur mbi tavolina. Por duket se marrëdhëniet tuaja u rregulluan, pasi ju u larguat nga posti i kryetares së Kuvendit, ai ju la një zyrë. Vërtet?
Ka një rregull në politikë. Po ta shohësh në politikën amerikane, presidenti paraardhës nuk flet kurrë për atë pasardhësin. Edhe unë për ata që kanë ardhur në karrigen e Kryetarit të Kuvendit, kam bërë një zgjedhje që mos të komentoja. Edhe kur të vlerësoja diçka, apo dhe kur diçka nuk shkonte.

A do të jetë një President i mirë Ilir Meta sipas jush?
Ka një eksperiencë politike shumë të veçantë. Kohët e fundit ka kapërcyer disa kriza shumë të mëdha, që më ka çuditur se si i ka kapërcyer.

A mund të flasim për Sali Berishën. Çfarë marrëdhënie keni me të, nëse keni?
Për mua ka qenë fat. Unë hyra në politikë, dhe kam pasur fat që të isha nënkryetare e një politikani fenomenal në gjithë jetën e tij politike. Shumë diplomatë të huaj, disa e kanë quajtur “fuqi të natyrës”, disa “reformatorë”. I kemi besuar shumë. Ne kemi mësuar shumë nga ai. Janë edhe kolegë të tjerë që kanë po aq vite sa unë. Unë nuk jam një nga themelueset e PD. Kam hyrë në 1996. Ai edhe kur mblidhte bashkëpunëtorët e tij në tryezë, nuk është ai Sali Berisha që ju shihni në Parlament, s’ka lidhje fare, pasi edhe bisedën e bënte në një mënyrë që të jepte mesazhe. Shihje me vëmendje dhe duhej të kapje çdo gjë tek ai. Sot politikanët e rinj se kanë atë fat. Kemi kaluar periudha më të çmendura, të vështira. Jemi në një farë mënyrë jemi kalitur në opozitën e asaj periudhë. Për çdo politikan është jetike, bazale, që të shkosh në lagje, në fshat, në shumë vende, pasi të mëson më shumë. Sali Berisha është i papërsëritshëm dhe kanë për të kaluar dekada dhe Shqipëria s’do ketë një reformator të këtyre përmasave, bashkë edhe me gabimet e asaj periudhe.

Keni kontakte me të tani?
Sigurisht, vazhdimisht.

Ju mbështet në idetë tuaja, apo kontaktet nuk janë të tilla? Të paktën publikisht Berisha mbështet Bashën…
Në të tilla raste zgjedh heshtjen (qesh). Është një marrëveshje e heshtur në fakt, që unë të them ato që mendoj dhe nuk është nevoja që të kem përgjigje të tillë. Është një zgjedhje prej shumë kohësh. Kam pasur bindjet e mia dhe kam pasur një raport që t’ja them ato çka mendoj, ndoshta dhe më shumë sesa kolegët e mi.

Në fakt ju e prisnit, që kur ju u përjashtuat nga listat. Prisnit një lloj avokatie të madhe?
Jo fare. Asnjëherë. Pasi kur ishte Sali Berisha kishte një mënyrë tjetër të të bërit të listave. E bënte partia. Nuk ishte ai kësaj radhe.

Pse ai nuk flet, se ashtu duket realisht?
Ai ua ka dhënë shpjegimin edhe në studion tuaj. Duhet ta kuptoni, se nuk gënjen Sali Berisha kur e thotë. Ai thotë të vërtetën, “Po të shkoj unë më përtej, do të thotë se do hap një betejë. Unë i kam mbyllur betejat e mia”. Unë e kuptoj dhe e besoj.

E kuptoj, por ndoshta ne jemi të vetmit që s’e besojmë që ai i ka mbyllur betejat e tij…
Shumë e mendojnë si ju, shumë mirë që s’e besoni ashtu.

E vështirë t’i fshish 20 vite politikë. Por me çfarë do merrej Jozefina Topalli nëse nuk do të merrej me politikë…
Është një periudhë e pazakonshme për mua gjithë kjo periudhë. Unë jam mësuar që 12 vjeç që të kem ditën e zënë nga mëngjesi deri në mesnatë. Në atë kohë duhet të mësoja shumë dhe të ndihmoja familjen me punë për të jetuar. Zhvillimet e mëtejshme i dinë të gjithë. Kjo është një periudhë që nuk jam në Parlament, për shkak të vendimeve të tjetërkujt, por dhe unë kam ndalur hapin pasi jam në një proces reflektimi. Ndoshta vitet më kanë bërë më të maturuar edhe për të parë momentin. Për çfarë nuk e di as unë. Jam në proces.

Më shumë kohë pranë familjes….
Shumë kohë dhe kjo shpirtërisht më ka pasuruar shumë. Më pranë familjes time dhe nënës time që e kam të sëmurë. E kam marrë në shtëpinë time dhe kujdesem për të, dhe kam lëvizur shumë.

Më mirë brenda asaj salle me burra agresive apo pranë familjes, e qetë?
Njeri humb shumë. Nuk është politikan ai që ulet në karrigen e deputetit apo ministrit. Politikan është ai që mendon 24 orë në 24 politikisht. Për fatin tim të keq dhe të mirë, unë mendoj 24 orë politikisht. Kam zgjedhur të mos jem shumë e pranishme në media dhe s’jam në atë parlament. Për shkak të angazhimit tërësisht në gjithë jetën tënde ke shumë mangësi të tjera.

Çfarë kosto keni paguar ndaj të bërit politikë?
Besoj se kostoja më e madhe për një grua është mos përjetimi i atyre momenteve të vogla, që të sjellin gëzim në jetë. Unë e kam në shpirt, s’i kam ndjekur shumë fëmijët e mi, nuk kam qenë me ta shpesh. I kam ndenjur shumë herë larg. Djali im rrinte zgjuar deri natën vonë sa të vija unë dhe më hapte derën. Këto janë gjëra që nuk kthehen. Pjesa tjetër pastaj ka privilegjet e veta. Unë kam pasur fatin të takojë shumë personalitete. S’e harroj kurrë drekën që kemi pasur me Xhorxh Bushin që do njihte pavarësinë e Kosovës dhe futjen tonë në NATO. Kam qenë ulur afër tij dhe pranë kryeministrit Berisha. Për shkak se isha më afër, ne biseduam shumë gjatë. Ai ishte i thjeshtë dhe të krijohej iluzioni se ishim shokë gjimnazi. Nisi të fliste për nënën e tij Barbara.

Kur folët për djalin tuaj se ju priste zgjuar kur ishte 3 vjeç që t’u hapte derën, ju u prekët….
Sigurisht. Në fund të fundit ke vetëm familjen. (preket dhe kërkon të kalohet në publicitet)
Ju thonë se jeni “Zonja e hekurt” dhe pse pak më parë se provuam këtë. Ju pëlqen?
Ndonjëherë po. Pastaj i bëj pyetje vetes “Vërtet jam unë e tillë? Në fakt nuk jam. Ndoshta karakteri është i fortë dhe imponohet nga bindjet e mia, por për pjesën tjetër them se jam e brishtë. Në kohën e diktaturës kam pasur një hallë që ishte martuar me një italian, ajo mbeti në Itali. Babai im vdiq pa e parë motrën e vet. Ajo na solli një televizor, dhe ndryshe nga ajo e komshinjve shtëpia jonë ka qenë e madhe, ku pastaj futëm brenda 5 familje të tjera për të jetuar aty. Ata vinin tek dhoma jonë që të shihnim televizor dhe unë rrija në fund të dhomës, që mos të më shihnin që unë po qaja nga skenat e prekshme. Në shtëpi na lexonin çdo pasdite “De Amiçi”, një histori e Apenineve. Ne ishim tre fëmijë. Unë nisa duke qarë dhe më pas u vendos që unë nuk do isha më brenda në shtëpi kur do tregohej historia.

Doja një mesazh për të rinjtë shqiptar të çilëve u jemi referuar shpesh se ata duan të largohen apo brengën për t’u larguar.
Mos lejoni që situata t’ju kontrollojë, por kontrollojeni ju atë. Ju jeni ëndrra, ju jeni e ardhmja, kapeni dhe ndryshojeni tërësisht.

Ju faleminderit për këtë intervistë të sinqertë dhe për momentet emocionale që më dhuruat.
Të falënderoj Eni. Në fakt ishte ndryshe. Mendoja se s’do bënim fare politikë, s’do flisja për politikë. Shqiptarët nuk duan të dëgjojnë më për politikë. Edhe ju të medias duhet të mendoni të sillni emisione jashtë politikës, por emisione edhe të kulturës dhe të artit.

E keni dëgjuar si na quan kryeministr? “Kazan”. (Qesh)
(Qesh, nuk përgjigjet)

Faleminderit për intervistën
Faleminderit juve!

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts