Vëllai ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka, është vrarë me armë zjarri pak orë më parë në qytetin e Lezhës.
Aleksandër Ndoka, 48 vjeç, është gjetur i vdekur në lagjen “Nënë Tereza” në Lezhë në mjetin e tij tip “Mitsubish”.
Ndoka banon në këtë lagje dhe vrasja ka ndodhur pranë banesës së tij.
Policia e Lezhës bën me dije se rreth orës 04:25 të mëngjesit të sotëm është njoftuar për një vrasje me armë zjarri.
“Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në Lagjen “Nënë Tereza”, ku kanë konstatuar se në mjetin tip “Mitsubish”, me targa AA 382 SE, ndodhej trupi i pajetë i shtetasit A.N.,48 vjeç, banues në lagjen “Nënë Tereza” Lezhë, i vrarë me arme zjarri nga persona akoma të paidentifikuar”, sqaron policia.
Ndoka ishte gjithashtu anëtar i këshillit bashkiak të Lezhës nga një parti e vogël.
Ende nuk dihen motivet e ngjarjes, pasi sipas informacioneve i ndjeri nuk kishte konflikte me ndonjë person.
Policia sqaron se janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit ndodhet në vendin e ngjarjes ku po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të krimit.
Në mbështetje të veprimeve që po kryhen nga Policia e Lezhës për kapjen e autorëve, janë dërguar edhe dy grupe të FNSH-së së Shkodrës.