Nga Shkodra ku zhvilloi një takim me studentët e ekselencës, kryeministri Edi Rama iu rikthye edhe njëherë çështjes së largimit jashtë vendit të shqiptarëve dhe kryesisht të rinjve.
Për Ramën me këtë çështje bëhet propagandë. Sipas Kryeministrit lëvizje ka kudo, por Shqipëria në dallim nga vende të tjera si Kroacia apo Polonia, nuk është pjesë e tregut të lirë të punës.
“Nuk i numëron njeri për refugjatë, ata që ikin nga Kroacia. As ata që ikin na Polonia” tha Rama.
Madje kryeministri foli edhe për efekte pozitive të emigracionit dhe për këtë referoi një studim të bërë në bashkëpunim me Universitetin e Harvardit për impaktin e të rikthyerve nga emigracioni në bujqësinë tonë.
“Është spektakolare – dhe është studim shkencor, nuk është muhabet kazani, – sesi ata që janë kthyer nga emigracioni kanë impaktuar rritjen, që ne e ndiejmë dhe e prekim me shifra në sektorin bujqësor” deklaroi Rama.
Deklarata e plotë e Ramës
Kjo puna “iku, erdhi”, këtu bëhet shumë propagandë.
Së pari, secili u përpoq dhe secili ëndërronte që ne të kishim një vend nga ku mund të ikej e të vihej, jo një vend nga ku nuk ikej dot. E kemi provuar që të jemi të gjithë këtu. Nuk është maksimumi.
Së dyti, nuk ka një vend të vetëm që të tregojë se mund të zhvillohesh, nëse njerëzit nuk lëvizin, nëse nuk njohin botë dhe eksperienca të tjera dhe këtu nuk flas për atë që ata që ikin sjellin financiarisht, po flas për atë që ata që ikin sjellin në mendësi dhe në dije, jo në shkollë, por në dijen e një kombi dhe një shoqërie. Të jeni të bindur, sepse kjo është një gjë e stërprovuar nga të gjitha vendet, se çfarë po i ndodh vendit tonë në gjithë këto vite është baza e asaj që do t’i ndodhi për shumë herë më mirë dhe më pozitivisht në vitet që vijnë. Nuk do ishin bërë vendet që ne sot i shohim me admirim, nëse nuk do kishin lëvizur, nëse nuk do kishin ikur-kthyer.
Kroacia është anëtare e Bashkimit Europian. 50 mijë të rinj janë larguar nga Kroacia vitin e shkuar. Sigurisht që është një goditje, sepse është humbje e shumë burimeve njerëzore që janë të afta për punë, por është njëkohësisht dhe një lëvizje që sjell shumë në perspektivën afatmesme dhe afatgjatë për vendin.
Nëse do të shikoni Poloninë, që është vendi që e ka kapërcyer, siç thuhet, me suksesin më shembullor procesin e integrimit dhe është vendi që bashkë me 2-3 vende të tjera jo të Bashkimit Europian ka pasur kapërcimin më të shpejtë nga të ardhurat mesatare në të ardhurat e larta, do të shikoni që lëvizjet migratore të polakëve kanë qenë marramendëse dhe jo në periudhën kur akoma nuk ishin bërë anëtarë të BE, por edhe pasi u bënë anëtarë të BE dhe sot që po flasim. Ne ishim në Poloni pardje dhe u çel kjo bisedë. Edhe ata e kanë problem.
Njëkohësisht kuptojmë që kjo është pjesë e një zhvillimi epokal, që e çon vendin në një nivel tjetër. Kështu që kjo është një histori propagande më shumë, se saç është një qasje racionale ndaj një problemi që sigurisht është problem.
Problemi ynë bëhet artificialisht, në mënyrë propagandistike, një problem refugjatësh për një arsye shumë të thjeshtë, sepse ne nuk jemi pjesë e tregut të lirë të punës. Nuk i numëron njeri për refugjatë, ata që ikin nga Kroacia. As ata që ikin na Polonia. As ata që ikin nga Italia e jugut e shkojnë në Italinë e veriut. As ata që ikin nga Italia e veriut në Gjermani. Po të marrim të gjitha vendet mesdhetare të Europës, të Bashkimit Europian, do shikojmë që ka shumë lëvizje të brendshme, migratore, nga një vend në një vend tjetër. Nuk i llogarit njeri. Sepse ata lëvizin se është tregu i lirë. Ne duke mos qenë pjesë e tregut të lirë, numërohemi, sepse njerëzit shkojnë atje e thonë dua azil. Ata nuk shkojnë atje se kanë probleme politike këtu. Ata shkojnë atje se duan të kenë sot një punë që iu jep më shumë saç mund t’u japë një punë këtu.
Ne kemi pasur një bashkëpunim me Universitetin e Harvardit për një studim të bërë për impaktin e të rikthyerve nga emigracioni në bujqësinë tonë. Është spektakolare – dhe është studim shkencor, nuk është muhabet kazani, – sesi ata që janë kthyer nga emigracioni kanë impaktuar rritjen, që ne e ndiejmë dhe e prekim me shifra në sektorin bujqësor. Kjo sepse sjellin dije, sepse dinë se çfarë kanë parë dhe çfarë duan të bëjnë këtu. Në zonat ku ka zhvillim sot, ku ka rritje të eksponente dhe njerëz që jo thjesht punojnë, por që zhvillojnë dhe fitojnë, do të gjesh shumë prej tyre që janë kthyer nga emigracioni.