Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, u bën thirrje të gjithë prokurorëve që plotësojnë kriteret që të aplikojnë në garën e hapur nga parlamenti për kryeprokuror të përkohshëm.
Manja: U bëj një thirrje të gjithë profesionistëve të sistemit, pra prokurorëve në Republikën e Shqipërisë që plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në ligj, të bëhen pjesë e kësaj gare. Afati skandon me 12 dhjetor në orën 18:00.
Duke u ndalur tek kriteret, Manja tha se kandidati për kryprokuror përveç vjetërsisë 15 vite në punë, duhet të ketë ose shkollën e Magjistraturës ose titullin shkencor.
Manja: Duhet të ketë mbi 15 vjet eksperiencë pune si prokuror, të ketë kryer shkollën shkollën e Magjistraturës ose gradë shkencore në drejtësi. Që të jem më i qartë, grada shkencore dhe shkolla e Magjistraturës nuk janë kritere që duhet ti ketë të dyja njëkohësisht, nuk janë kritere kumulative. Duhet të ketë 15 vjet punë dhe shkollën e Magjistraturës ose 15 vjet punë si prokuror dhe gradën shkencore në drejtësi.
Kreu i Komisionit të Ligjeve tha se nuk është në dijeni nëse janë paraqitur apo jo kandidatura por deri në afatin përfundimtar sipas tij, koha është e mjaftueshme.
Deklarata e kreut të Ligjeve u bë në ceremoninë e togës së artë të avokatëve, ku kreu i shoqatës së avokatëve penalistë, Saimir Vishaj, e cilësoi antiligjore qëndrimin në detyrë të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Kushtetuese apo dhe Prokurorit të Përgjithshëm që u ka përfunduar mandati.
Vishaj: Marr shkak nga një precedent shumë i rrezikshëm që po krijohet në Shqipëri, që nuk njihet, është harruar instituti i dorëheqjes.Kemi shumë gjyqtarë në Gjykatën e Lartë, në Gjykatën Kushtetuese, madje dhe Prokurori i Përgjithshëm të cilëve u ka mbaruar mandati. Ne jemi juristë dhe e dimë se çfarë do të thotë kur mbaron koha.Kur mbaron koha nuk ka më veprim juridik për të kryer sepse çdo lloj veprimi që kryen, qoftë Prokurori i Përgjithshëm, qoftë ata gjyqtarë që vazhdojnë prej 2 vjet, 3 vjetësh, si në Gjykatën e Lartë apo Kushtetuese jashtë mandatit të tyre, të gjitha janë veprimet nul.
E pranishme në këtë aktivitet, nënkryetarja e parlamentit, Vasilika Hysi, kërkoi që avokatët të japin ndihmesën e tyre për të luftuar korrupsionin në rradhët e drejtësisë.