Historiani dhe akademiku i njohur Kristaq Prifti ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare.
Prifti ishte anëtar i Akademisë së Shkencave, specialist i periudhës së Rilindjes Kombëtare, orientalist dhe kishte veprimtari drejtuese në institucionet akademike-universitare.
Jeta dhe veprat e Kristaq Priftit
I ndjeri ka lindur në Berat në 21 janar 1932. Ai ka mbaruar studimet e larta në Moskë në fushën e historiografisë dhe pas kthimit në atdhe punoi si pedagog në Universitetin e Tiranës.
Ishte një prej profesorëve themelues të këtij universiteti, ku kreu disa detyra, si përgjegjës i katedrës së historisë, zëvendësdekan dhe dekan. Që nga viti 1982 ka qenë kërkues shkencor në Institutin e Historisë dhe në vitet 1991-1993 drejtor i tij. Përveç mësimdhënies në UT, Kristaq Prifti ka mbajtur ligjërata edhe në Universitetin e Prishtinës.
Fushat kryesore të veprimtarisë shkencore të akademikut Kristaq Prifti, në kuadër të historisë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare deri në themelimin e shtetit shqiptar, janë: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Lidhja Shqiptare e Pejës, shqiptarët në periudhën e revolucionit xhonturk, lëvizja politike-kulturore në Shqipëri në prag të Pavarësisë, Kongresi i Manastirit dhe njësimi i alfabetit të shqipes, shpallja e Pavarësisë dhe Qeveria e Përkohshme e Vlorës. Në dekadat e fundme veprimtaria e Kristaq Priftit u shtri edhe në historinë e Kosovës në shek. XX, sidomos në zhvillimin demografik të saj. Kërkimet e tij në këto fusha janë përmbyllur me studime të plota monografike, disa prej të cilave janë:
• Kongresi i Manastirit ngjarje me rëndësi në Lëvizjen Kombëtare (bashkautor, 1968, 1978, 2004);
• Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet osmane 1878-1881 (1978);
• Lidhja Shqiptare e Pejës; lëvizja Kombëtare 1896-1900 (1984, 2002;
• Historia e Shqipërisë, vëllimi II (drejtues shkencor, 1984);
• Dr. Ibrahim Temo: jeta dhe vepra (1987, 1993, 1996);
• La Ligue Albanaise de Prizren, vol. I (bashkëpërgatitës, 1988);
• Historia e popullit shqiptar, vëll. II (bashkautor e drejtues shkencor, 2002) dhe vëll. III (bashkautor e drejtues shkencor 2007);
• Popullsia e Kosovës (2014).
Kristaq Prifti ka dhe kontribute të tjera të vlerësuara nga bota e dijes si bashkëpërgatitës dhe bashkëredaktor i disa vëllimeve me dokumente e studime, si:
Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit (1972);
E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi (shqip e anglisht, 1984);