Nuk ka vonuar shumë dhe vetem pas tre ditësh, kuqeblutë e koshit shkodran janë rikthyer tek fitorja. Një fitore që vjen pas atij dështimi që skuadra e drejtuar nga Bledar Gjeçaj pati në shtëpi me Partizanin. Kuqeblutë fituan me rezultat të thellë ndaj Barleti Eagles 106 me 67, ndeshje kjo e luajtur mbrëmjen e së shtunës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ndaj një kundërshari modest. Vete shifrat e kësaj fitoreje me diference 40 pikëshe tregojnë më së miri superioritetin e padiskutueshëm të Vllaznisë në këtë ndeshje. Fitore kjo që u arrit duke mos diskutuar katër periodat e lojës, 21-13 të parën, 30-18 të dyten, 28-17 të treten dhe të fundit 27-19.
Në pamjen e përgjithshme, përballja me Barleti Eagles është konsideruar nga specialistët e basketbollit si një nxemje për shkodranët, pasi për kuqeblutë kjo fitore vlen në aspektin e rikthimit të moralit në skuadër. Është konsideruar e tillë, sepse ajo ka ardhur pikërisht në momentin e duhur, pasi javen e ardhshme Vllaznia do të ketë përballjen më të fortë të kësaj faze me ekipin bardheblu të Tiranes, takim i cili po pritet me shumë interes, jo vetem nga opinioni sportive shkodran, por edhe më gjërë.