Zbulohen tre pista hetimi për vrasjen e Ndokës

0
2610

Ekzekutimi i Aleksandër Ndokës, vëllai 48 vjeçar i ish-deputetit socialist të Lezhës, Arben Ndoka, po hetohet mbi tre pista kryesore. Hetimet kryesisht janë përndruar në vrasjen për shkak të funksioneve shtetërore që ai ka mbajtur ndër vite, por edhe konfliktet e të birit apo përplasje për interesa biznesi. 48-vjeçari u përcoll sot për në banesën e fundit, ku i biri i dha lamtumirën me pranga në duar, pasi është i arrestuar me masë sigurisë për një plagosje.

Vrasja për shkak të funksioneve shtetërore që ka mbajtur ndër vite është një nga pistat kryesore mbi të cilën po zhvillohen hetimet për ekzekutimin mafioz të Aleksandër Ndokës, vëllait të ish-deputetit socialist të Lezhës, Arben Ndoka.

Aleksandër Ndoka për 17 vjet ka punuar pranë Inspektoriatit Ndërtimor, ose siç njihet ndryshe Policia Ndërtimore.

Për dy vite ai ka mbajtur postin e juristit të Hipotekës Lezhë, ndërsa prej vitit 2015 ka qenë jurist pranë Këshillit të Qarkut dhe anëtar të Këshillit Bashkiak.

Dy pista të tjera mbi të cilat po hetohet janë edhe konfliktet e të birit, së fundmi i vënë në pranga për plagosjen me armë të ndodhur ditën e zgjedhjeve në Shëngjin.

Jashtë vëmendjes së hetuesve nuk janë lënë as konfliktet në biznes, pasi Aleksandër Ndoka kishte në pronësi një lokal në Lezhë.

48-vjeçari u përcoll të dielën për në banesën e fundit në një ceremoni ku morën pjesë miq, të afërm dhe bashkëpunëtorë, mes të cilëve  edhe përfaqëues të politikës lokale.

I biri, Samueli, ia dha lamtumirën e fundit babait me pranga në duar dhe nën monotorimin e forcave të Policisë së Burgjeve të cilat i kishin dhënë leje të posaçme për të marrë pjesë në funeral.

Gjithçka ka kaluar në heshtje, ndërsa familjaret dhe të afërmit kanë qëndruar larg mediave duke mos folur për vrasjen e 48-vjeçarit, Aleksandër Ndoka.

Familjarët e tij pritet ta merren në pyetje prej policisë në orët në vijim, pas përfundimit të ceremonive familjare.

Dëshmia e tyre pritet të jetë mjaft me interes, për të përcaktuar pisten kryesore të hetimit me qëllim për të rënë në gjurmët e autorëve të kësaj ngjarje që tronditi Lezhën.

Nga ana tjeter policia e Lezhës sëbashku me specialistë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit po vijojnë hetimet në lidhje me ekzekutimin mafioz të 48-vjeçarit Ndoka.

Paraprakisht u shoqëruan 8 persona, por ende nuk ka informacion nësë mes tyre janë autorët.

Këta të fundit dyshohet të kenë qenë vrasës profesionistë, pasi kanë lënë shumë pak gjurmë, dhe kanë vepruar në një zonë të pa mbuluar me kamera sigurie, ndërkohe që nuk përjashtohet mundësia që të kenë qenë vrasës me pagesë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here