Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja iu bën apel prokurorëve që plotësojnë kriteret për të konkurruar në garën për Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm, ndërkohë që ky afat mbyllet të martën në orën 18:00.
Duke folur për mediat, deputeti socialist tha se lista e kandidatëve do të bëhet publike, dhe pas kësaj do caktohet data për seancat dëgjimore.
“Duhet të jetë prokuror, pra pjesë e sistemit. Duhet të ketë mbi 15 vjet dhe të ketë mbaruar ose Magjistraturën ose të ketë gradë, dua të veçoj se këto të dyja të fundit nuk është domosdoshmëri të ketë mbaruar Magjistraturën, mjafton të ketë gradë, ose mjafton të ketë mbaruar Magjistraturën. Do të kalojë procesin e vettingut pasi te jetë emëruar. Ne do të bëjmë publike listën e kandidatëve për këtë detyrë dhe menjëherë siç e planifikon vendimi do të përcaktojmë datën dhe orën e seancës dëgjimore me të gjithë kandidatët. Pastaj komisioni ka edhe dy ditë të tjera kohë për të bërë një vlerësim të kritereve dhe të meritës për secilin nga kandidatët që do të jenë pjesë e kësaj gare”, tha deputeti Manja.
Pavarësisht emrave të shumtë të përfolur ditët e fundit vetëm pas të hënës, do të shihet se cilët janë prokurorët, që ndryshe nga herët e tjera, kësaj radhe do të hedhin vetë dorashkën e sfidës në një garë publike.
“Dy ditë janë të mjaftueshme, pasi procedura është shumë e thjeshtë, një jetëshkrim dhe një shprehje interesi”, tha Manja.