Në 27-vjetorin e themelimit të PD, kryetari i kësaj force politike bëri thirrje për bashkimin e të gjithëve, sepse “vetëm reflektimi, vizioni, bashkimi dhe beteja do të na çojë në fitore”, tha Basha në fjalën e tij.
Basha: Reflektimi, vizioni, bashkimi dhe beteja na kanë mbajtur dhe na kanë vënë në krye. Kjo është historia, këtë e dimë të gjithë. Reflektimi, vizioni, bashkimi dhe beteja do të na çojnë në fitore. Kjo është e sotmja, kjo është e nesërmja jonë e sigurtë dhe e afërt. Dua që ky lajm të ushtojë fort në zemrat tuaja të çdo demokrati dhe të çdo qytetari shqiptar.
Viti që po mbaron ka qenë një nga vitet tona më të vështira ku Shqipëria rrezikonte të robërohej nga krimi. Por ne u ngritëm, ne zgjidhëm të përballemi me të dhe ju të gjithë e dini se kjo nuk ishte një përballje e lehtë. Në fillim nuk na besuan, shumë e mbyllën gojën, të tjerë nuk guxuan të na bashkohen. Rrezikuam dhe skarifikuam politikisht, morëm kosto si parti dhe si individë dhe prap qëndruam. Sot pak muaj pas zgjedhjeve përpjekjet tona po japin rezultat dhe shqiptarët po e kuptojnë drejtësinë dhe vetëmohimin e betejës që ne e bëmë dhe po na japing vlerësimin dhe mbështetjen që ne meritojmë. Ky është fillimi i shpërberjes së strukturës kriminale, të shpërbërjes së gënjeshtrës së madhe mbi të cilin qëndron narko qeveria në pushtet.
Sipas Bashës janë 4 rekorde të zeza të qeverisë që nuk kanë ndodhur në Europë.
Basha: Kjo qeveri solli disa rekorde të zeza për vendin, por 4 prej tyre nuk i ka parë historia në Europë dhe as në botë. Promovimi me vetëdije i rekordeve kriminale në Parlament dhe në funksione të larta publike, kanabizim masiv i territorit kombëtar nga bandat në ortakëri me qeverinë, angazhimi i bandave si struktura elektorale të PS me detyrën për të blerë vota me paratë e drogës dhe korrupsionit për të dhunuar zgjedhësit, blerja masive e votave në zgjedhjet e 25 qershorit.
Basha foli edhe për marrëveshjen me Ramën, për të cilën tha se qëllimi dhe thelbi ishte të evitohej përplasja civile, destabilizimi i vendit dhe angazhimi i grupeve kriminale në shitblerjen e votës
Basha: Sigurisht që ne do të kishim dashur që kriminalizmi dhe kanabizimi të luftoheshin e të ndaleshin në kohë, pa u bërë kapicë siç u bënë; kemi luftuar dhe kemi dëshiruar përnjimend që këto droga, krimi dhe paratë e pista të mos prishnin një festë të popullit të lirë, siç janë zgjedhjet. Për këtë arsye ne pranuam draftmarrëveshjen për zgjedhjet, që partneri ynë strategjik, SHBA, u propozoi shumicës dhe opozitës shqiptare. Qëllimi dhe thelbi i marrëveshjes ishte të evitohej përplasja civile, destabilizimi i vendit dhe angazhimi i grupeve kriminale në shitblerjen e votës. Edi Rama u ul në bisedime, por bëri krejtësisht të kundërtën e asaj për të cilin u bë marrëveshja. Tani zullumi dhe pabesia po i ngecin në fyt. Politika nuk është e pistë apo hileqare në vetvete, por është e tillë për ata që duan ta bëjnë pis e të paskrupullt atë, thoshte Vasllav Havel. Politika hakmerret një ditë ndaj tyre. Kjo është një ligjësi e hekurt.