Sunday, January 26, 2025
Home Kronika Bilanci tragjik i dhunës, 8 gratë e vrara gjatë vitit 2017

Bilanci tragjik i dhunës, 8 gratë e vrara gjatë vitit 2017

0
807

Tetë gra, bashkëshorte, nëna, kanë humbur jetën këtë vit si pasojë e dhunës së ushtruar nga bashkëshortët e tyre, me të cilët ato kishin lindur dhe rritur edhe fëmijë. Ndër vrasjet më të bujshme që tronditi opinion publik në ditën e fundit të gushtit përvëlues ishte ajo e gjyqtares së Shkodrës, Fildes Hafizi, e cila u qëllua me armë zjarri në mes të ditës, në mes të rrugës në Tiranë nga ish-bashkëshorti  i saj, Fadil Kasemi. Kjo vrasje i zbehu edhe më shumë shpresat e grave të tjera viktima ose jo të dhunës se në këtë vend mund të gjesh një zgjidhje për të shpëtuar, për të shpëtuar nga dhuna dhe nga kërcënimet me jetë, pasi fenomeni kapi majat, duke dëshmuar se sistemi i drejtësisë nuk siguroi dot mbrojtje as për pjesën e tij.

Mijëra denoncime për dhunën bëhen çdo vit në polici, mijëra gra kërkojnë mbrojtje nga shteti, për veten e për fëmijët. Sipas të dhënave zyrtare, deri tani për vitin aktual në Polici janë bërë plot 4 mijë denoncime për dhunë në familje, 8.5% me shumë se një vit më parë.  Por për strukturat shtetërore, sërish fenomeni mbahet i fshehur, pasi sipas një studimi të bërë nga INSTAT, tregon se vetëm 1 në 10 gra në vendin tonë e denoncon dhunën, çka do të thotë që kemi 10-fishin e rasteve ende mbrapa dyerve të mbyllura. Shumë gra që ende kanë zë nuk flasin nga frika, nga frika jo vetëm e dhunuesit, por edhe se nuk kanë një strehë ku të qëndrojnë pas kësaj beteje. Shërbimet sociale në këtë drejtim prej vitesh i janë faturuar shoqërisë civile, e cila me fondet e donatorëve të huaj kanë krijuar strehëza në disa qytete kryesore të vendit, për tiu ardhur në ndihmë grave të dhunuara dhe pa mbrojtje. Shërbime që nuk mbulojnë të gjithë vendin, por janë shumë larg për zonat rurale.

Pas urdhrit të mbrojtjes, gratë kanë nevojë për mbështetje për të nisur një jetë nga e para. Kanë nevojë për strehim, për punësim, për të cilat pushteti vendor nuk u ofron asnjë ndihmë.

Nisur nga situata alarmante e fenomenit të dhunës, ministrja e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale ogerta manastirliu vetëm pak ditë pas marrjes së detyrës, propozoi një paketë ndryshimesh për ligjin e dhunës në ambientet familjare, me synim ashpërsimin e tij për dhunuesit dhe shtrëngimin e punës së gjykatave për urdhrat e mbrojtjes, që fatkeqësisht kanë dëshmuar se vetëm mbrojtje që nuk kanë siguruar për viktimat.

Me fokus tek më të pambrojturit, për herë të parë, me urdhrin e mbrojtjes për nënën, automatikisht do të garantohen edhe fëmijët, edhe nëse mbi ta nuk është ushtruar dhunë e drejtpërdrejtë. Ndërsa kujdestaria për fëmijët, do ti kalojë automatikisht viktimës të dhunës.Fëmijët janë ata që vuajnë gjatë e ndoshta për gjithë jetën pasojat  e dhunës në familje.

Në Tiranë funksionon vetëm një Qendër Kombëtare për Viktimat e Dhunës, që për shkak edhe të kapaciteteve e ka të pamundur të përballoj të gjitha rastet. Ndërkohë, për herë të parë, në kryeqytet u hap një zyrë koordinuese nga tre dikastere për dhunën, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila do të ndjek rastet hap pas hapi deri në zgjidhjen përfundimtare. Për ekspertët e fushës, puna e kësaj zyre shihet si joefektive, pasi gratë kanë nevojë për ndihmë në vendet ku jetojnë.

Prej 10 vitesh flitet për dhunën në familje, por për çdo vit shifrat flasin për një fenomen që nuk po ndalet, e që nuk lidhet vetëm me faktorët klasikë si varfëria. Ndaj për specialistët, duhet nisur një fushatë ndërgjegjësimi që nga shkollat, ku ndërtohet e ardhmja e të gjithë fëmijëve tanë.

Përtej dhunës në marrëdhëniet familje, në shoqërinë tonë flitet shumë pak për dhunën në ambientet e punës, ku mbi gratë ushtrohen forma të ndryshme presioni.

Sot është koha që gratë të flasin, të flasin për dhunën sa kanë ende zë, të flasin për veten, për fëmijët, të flasin për komunitetin ku jetojnë. Por jo vetëm gratë, të gjithë aktorët e shoqërisë duhet të kenë zë për dhunën, duhet të kenë zë jo vetëm në ditët e fushatave ndërgjegjësuese. Duhet të kenë zë, për të shpëtuar krijesën që shton botën, ku ne të gjithë jetojmë!

Femrat e vrara gjatë vitit 2017 

5 prill 2017 

Durrës, Ersid Curri, 23-vjeç, vret me armë zjarri gjyshen dhe më pas edhe veten.

4 maj 2017 

Kurbin, Ndoc Tota, 75 vjeç, qëllon me levë hekuri në oborrin e shtëpisë , nusen e djalit.

8 maj 2017 

Shkodër, Beqir Xhilaj, 74 vjeç, vret me armë gjahu gruan e tij, 27 vjet më të vogël.

18 gusht 2017 

Lushnje, Tajar Kazanxhiu, 55 vjeç, vret me sqepar në banesë gruan.

20 gusht 2017 

Kamëz, Halil Lita, 65 vjeç, vret me armë zjarri gruan dhe më pas edhe veten.

31 gusht 2017

Tiranë, Fadil Kasemi, 53 vjeç, vret me armë zjarri ish-bashkëshorten, gjyqtaren e Shkodrës, Fildes Hafizi.

24 shtator 2017 

Pogradec, Bashkim Mekolli, 49-vjeç vret me mjete të forta sqepar dhe thikë gruan.

23 nëntor 2017 

Kavajë, Sami Metushi, 50 vjeç, vret me thikë bashkëshorten për motive te dobëta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here