Imagjinata, vëllai dhe aparati fotografik, këto janë tre elementët e zakonshëm që i bëjnë të jashtëzakonshme fotografitë e 23-vjeçarit nga Presheva, Adrian Limani.
Adriani nuk është shumë i njohur në Shqipëri, e megjithatë dijeni se ai është i pari shqiptar që ka fituar çmimin “Gold Medal of Excellence”, në Linz të Austrisë.
Me fokusin e përqendruar te hëna, ai ka mundur të realizojë një set fantastik fotosh. Duke luajtur me iluzionin optik.
23 vjeçari ka sjellë foto që kanë rrëmbyer vëmendjen e yjeve ndërkombëtarë si Jessie J, Calvin Harris, P. Diddy e Tyrese Gibson. Fotot e tij janë publikuar nga Daily Mail e media të tjera prestigjoze jashtë vendit.
“Fotografi duhet të sfidojë ligjet e probabilitetit apo madje të së mundshmes; në rastin ekstrem, ai duhet të sfidojë ato të interesantes: një fotografi bëhet befasuese kur nuk e dimë pse është bërë..
Fillimisht, fotografia, për të befasuar fotografon të veçantën; po shumë shpejt, sipas një inversioni të njohur, shpall të veçantë çfarëdo që fotografon. Pastaj “gjithçka e çfarëdo” bëhet maja e vlerës së sofistikuar.”
Ky ishte koncepti i filozofit dhe kritikut më të madh të shekullit XX, Roland Barthes për fotografinë.