Kryeministri Edi Rama ka pritur në një takim me ministrin e Drejtësisë italiane, Andrea Orlando. Pas takimit ky i fundit ka postuar në ‘Twitter’ një mesazh, ndërsa tregon se do të qëndrojë për disa ditë në Tiranë.
“Takim pozitiv me kryeministrin Edi Rama për të intensifikuar raportet gjyqësore. Italia do të japë mbështetje për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE”, shkruan Orlando.
Burime për “BalkanWeb” bëjnë me dije se ministri italian po takohet dhe me homologen shqiptare, Etilda Gjonaj ku do të firmoset edhe një memorandum bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë.
Gjithashtu mësohet se dy zyrtarët pritet të zhvillojnë edhe një konferencë për mediat.
Kujtojmë se në 3 nëntor mbërriti në Tiranë edhe ministri i Brendshëm i Italisë, Marco Minitti, i cili pati një takim të gjatë dhe kokë më kokë me homologun shqiptar Fatmir Xhafaj.