Për çështjen e Jerusalemit, Shqipëria ka të njëjtin qëndrim me atë të Bashkimit Evropian, dhe kundër Shteteve të Bashkuara që njohën Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Duke iu përgjigjur interesit të opoiztës në Parlament, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme iu referua katër rezolutave të Bashkimit Europian për të evidentuar pozicionimin e Shqipërisë.
Bushati: Nuk ka një qëndrim të ri nga ana e Shqipërisë. E kemi bërë këtë diskutim edhe për Palestinën në OKB me sa e sa prej jush. Është i njëjti qëndrim që Shqipëria ka mbajtur në OKB, në lidhje me 4 rezoluta të Këshillit të Sigurimit, rezoluta detyruese që i referohen 1967-s, në përputhje me linjëzimin tonë të politikës së jashtme 100% me atë të Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, në Samitin e Jashtëzakonshëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik ku u fol për situatën në Jerusalem, Tirana zyrtare preferoi të përfaqësohej me ambasadorin tonë në Ankara, Genti Gazheli, dhe kjo sipas Bushatit nuk ka domethënie të nënkuptuar.
Bushati: Kjo është detyra e Ambasadorit. Në përputhje me Konventën e Vjenës, Presidenti, Kryeministri, Ministri i Jashtëm dhe ambasadori kanë plotfuqishmëri. Kjo është edhe arsyeja përse ai quhet i plotfuqishëm. Nuk do të vijë asnjëherë në Komision Ambasadori për të marrë mendim për këtë çështje.
Po ashtu, OBI-ja në deklaratën përmbyllëse e shpalli nul lëvizjen e Presidentit Trump mbi njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit. Gjithashtu, liderët kryesorë të organizatës i bënë thirrje botës që të njohin pjesën lindore të Jerusalemit si kryeqytet të Palestinës. Presidentët Rexhep Taip Erdogan dhe Mahmud Abaz e cilësuan edhe njëherë çështjen si një vijë të kuqe për myslimanët. Me vendimin, Presidenti Trump shkaktoi “tërmet” të fortë në arenën ndërkombëtare.