Meta thirrje partive politike: Të ngrihen institucionet larg politizimit të tejskajshëm

0
736

Kreu i shtetit Ilir Meta i ka bërë thirrje partive politike të ndërmarrin hapa seriozë për konstituimin e institucioneve të reja, që reforma në drejtësi të bëhet reale. Gjatë konferencës “Efikasiteti i procedurave gjyqësore në Gjykatat Administrative të Shqipërisë dhe efektet e Reformës në Drejtësi”. Kreu i shtetit tha se institucionet e reja duhet të ngrihen sa më shpejt në kuadër të reformës.

Meta: I bëj thirrje forcave politike, Kuvendit, shoqërisë civile dhe gjithë aktorëve të sistemit gjyqësor të ndërmarrin sa më shpejt me transparencë veprime konkrete që në frymën e Kushtetutës së vendit dhe duke ndjekur këshillat e vyera të Komisionit të Venecias të ndërmarrin hapa seriozë që reforma të bëhet reale, e prekshme dhe efektive sa më shpejt, larg politizimit të skajshëm dhe interesave partiake të ditës. Çdo vonesë e mëtejshme është në dëm të interesit publik, funksionimit të gjykatave, vetë reformës e mbi të gjitha të pritshmërive të qytetarëve shqiptarë.

Sipas presidentit Meta çdo vonesë në konstituimin e institucioneve të reja sjell efekt negativ në të gjithë sistemin gjyqësor, dhe moskrijimi i tyre vonon dhe zgjidhjen e problematikës së shfaqur në plotësimin e trupës gjyqësore.

Për kryetarin e Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori ngritja e institucioneve të drejtësisë është emergjencë pasi për shkak të numrit të madh të çështjeve ka rënë cilësia e dhënies së drejtësisë.

Zaganjori: Rreth gati 10% e çështjeve kanë filluar të zgjidhen brenda afatit. Janë përshpejtuar sepse unë kam 6 mijë çështje. Si mund të respektohet afati 90 ditor me 3 gjyqtar në Kolegj përfshirë edhe vetë. Të përshpejtohen me krijimin e institucioneve në mënyrë që i gjithë sistemi të vihet në shinat e duhura dhe qytetarët të mos rropaten.

Apeli i presidentit erdhi në një kohë kur partitë politike janë përfshirë në një debat për zgjedhjet e kreut të ri të Prokurorisë pas përfundimit të mandatit të Adriatik Llallës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here