Emisioni “Java” në RTSH ka siguruar një dokument bankar ku vërtetohet origjina e 863 mijë eurove të gjetura në makinën e biznesmenit Orest Sota, ku përveç tyre u gjetën edhe dy leje drejtimi për mjete lundrimi në emër të ish-ministrit Saimir Tahiri. Dokumenti në fjalë u zbardh nga gazetari Lorenc Vangjeli, ndërsa aty tregohej transaksioni i bërë nga një bankë ku u tërhoq shuma e parave që i’u sekuestrua biznesmenit.
“Java ka mundur të sigurojë një dokument bankar, i cili vërteton tërheqjen e parave, dhe tregon origjinën e këtyre parave, të gjetura në makinën e Sotës. Çfarë ka ndodhur në këndvështrimin tim. Sistemi i drejtësisë funksionon në mënyrë sovjetike. Prokuroria mban peng, në funksion të një çështjeje, mban peng një djalë të ri 25-vjeçar”, deklaroi gazetari Vangjeli.
Ndërkohë gazetari Artan Hoxha tha se veprimet e prokurorisë janë përqendruar pikërisht te paratë që iu gjetën biznesmenit. Sipas tij, organi i akuzës kërkon të gjejë lidhje mes Sotës e biznesmenit Tahiri.
“Prokuroria është përqendruar të gjejë lidhje mes Orest Sotës dhe Saimir Tahirit. Një detaj i rëndësishëm që doli këtë javë është fakti që prokuroria e Katanias në datë 27 tetor ka regjistruar një procedim të ri. Fatin e Tahirit e kemi në dorë një arbitri që nuk është palë në Shqipëri. Në dorë një prokuroi profesionale që do na japë një përfundim nëse Tahiri është i implikuar me Habilajt, edhe pse nuk ka ende zyrtarisht një informacion nëse është marrë i pandehur apo jo. Gjykata e Tiranës, në vendimin e datës 9, nuk i ka pranuar provat e përgjimeve ambientale. Nëse do i pranonte në këtë fazë do merrnin vlera të jashtëzakonshme”, tha gazetari Artan Hoxha.