Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka folur për shkarkimin e ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, pasi denoncoi situatën me drogën në vend. Për herë të parë, Kryemadhi thotë publikisht se kryeministri Rama e shkarkoi ish-ministrin e LSI pikërisht për këtë fakt.
Nga mbledhja e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI, Kryemadhi tha se kjo force politike duhet ta kishte rrëzuar që në atë moment qeverinë e Ramës.
“E ka kthyer Shqipërinë në një qendër të eksportimit jo vetëm të drogës, por edhe të eksportimit të destabilitetit, dhe të krimit në rajon dhe më tej. Ne kemi denoncuar që në ditën e parë raportin e kësaj mazhorance me krimin. Këtë situatë me kultivimin dhe trafikun e drogës në vend e ka denoncuar edhe ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, kur kërkoi ndërhyrjen e ushtrisë për luftën ndaj këtij fenomeni. Por Rama e shkarkoi për këtë gjë. Ju kërkojmë falje që nuk reaguar. Pasi duhet të kishim reaguar menjëherë, dhe duhet të kishim rrëzuar që atëherë qeverinë e Ramës. Kështu do t’i kishim dhënë fund përpjekjeve të tij për të krijuar institucioneve të kapura. Ai tashëm është një telekomandë në dorën e krimit”, u shpreh kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.