Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot seancën e fundit parlamentare për vitin 2018. Në këtë seancë, që nis në orën 10:00, do të zgjidhet Prokurori i ri i Përgjithshëm i Përkohshëm, i cili do të pasojë në këtë detyrë Adriatik Llallën, të cilit i përfundoi mandati.
Rendi i ditës së seancës plenare e hënë, 18.12.2017, ora 10:00 parashikon në pikën 5 projektvendimin “Për caktimin e Prokurorit që do të ushtrojë përkohësisht funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm” (Rregullore, neni 111, ligji nr. 97/2016, neni 109, votim me shumicë të thjeshtë).
Sipas njoftimit të Kuvendit, fillimisht do të shprehet komisioni përgjegjës për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe më pas janë parashikuar diskutimet e grupeve parlamentare, si dhe koha e votimit.
Por opozita prej dy ditësh ka paralajmëruar protestë përpara Parlamentit, duke kundërshtuar vendimin e mazhorancës për të zgjedhur Kryeprokurorin e ri vetëm me votat e saj.
Ditën e djeshme, PD dhe LSI shprehën qëndrimin e tij ndaj seancës së sotme plenare, duke paralajmëruar debat të fortë në Parlament.
Në seancën e sotme, deputetët e opozitës më sa duhet do të jenë të pranishëm vetëm për të kundërshtuar këtë vendim të mazhorancës. Sipas burimeve, deputetët e PD-së nuk do të lejojnë zhvillimin normal të seancës, duke bllokuar foltoren e Kuvendit, pasi sipas tyre, me këtë vendim shkelet Kushtetuta e vendit.
Pas vlerësimit të kandidaturave nga Komisioni i Ligjeve për postin e Kryeprokurorit, tre favoritët janë Arta Marku, Ferdinand Elezi dhe Ermira Tafani.