Policia e Shtetit deklaron se 6 efektivë kanë mbetur të lënduar nga protesta e sotme dhe përplasjet me protestuesit e thirrur nga opozita. Ndërkaq policia deklaron se po bëhen verifikime për identifikimin e dhunuesve.
“Gjatë protestës së sotme të opozitës të zhvilluar para Kuvendit të Shqipërisë janë lënduar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore 6 punonjës policie, konkretisht: O.M, V.T dhe M.A, efektiv policie te Forca e Posaçme ‘Shqiponja’.
N.K, E.X dhe D.B, efektivë policie të Komisariatit të Policisë nr 1, nga të cilët dy prej tyre femra.
Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë po vijon verifikimet për identifikimin e gjithë personave, të cilët kanë ushtruar dhunë gjatë protestës”, deklaron Policia e Shtetit.