Kreu i kishës ortodokse autoqefale të Shqipërisë, Janullatos, ka deklaruar se pasardhësi i tij do të jetë shqiptar.
Në një intervistë për gazetarin e njohur grek, Aleksis Papachelas në televizionin vendas “Skai”, Janullatos ka folur për raportet e tij me Edi Ramën, zhvillimet e paradokohshme në Himarë, por edhe për ardhmërinë e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë.
I pyetur nga gazetari që, “nëse largoheni nga posti, pasardhësi juaj do të jetë shqiptar?”, Janullatos është përgjigjur:
“Po, natyrisht. Kjo është e qartë. Faktikisht unë kam shumë vjet këtu… Shikoni, na mungon guximi që të vihemi në pozitën e tjetrit. Nëse kishim ne një rast analog në Greqi, a do të pranonim që për një periudhë të gjatë në krye të kishës të kishim një bullgar apo një serb? Sigurisht që jo. Ne nuk donim të krijonim një koloni. Ne erdhëm të krijojmë kishën ortodokse autoqefale të Shqipërisë. Kisha jonë është mes 14 kishave autoqefale që varen nga Patrikana Ekumenike. Është Shqipëria, pastaj vijojnë Çekia dhe Sllovakia. Rrjedhimisht, kemi një rol më përgjithësisht në tërësinë e ortodoksisë në botë”.
Janullatos është pyetur edhe për zhvillimet e paradokokshme në Himarë, për të cilën ka vlerësuar se nuk është një çështje “top”.
Janullatos: Shikoni, ka një problem të përgjithshëm, që nuk është vetëm në Himarë, por është më i gjerë. Problemi është moskthimi i pronave te pronarët. Sigurisht, shteti ka mundësinë që të bëjë disa ndërhyrje urbanistike, mirëpo më përpara duhet t’u japë pronat atyre që u takojnë. Ndërkaq, nuk besoj se është një çështje “top” në këto momente.
Insistimit të gazetarit, nëse ka një plan të organizuar për zhdukjen e elementit grek nga Shqipëria, Janullatos i përgjigjet negativisht.
Janullatos: Është e vështirë të thuash se ka një plan të tillë. Mund të ketë, mund të mos ketë. Por problemi është që nga fshatrat e minoritetit njerëzit janë larguar dhe fshatrat janë mbetur shkret. Të largohemi që andej dhe pastaj të bërtasim se “të tjerët na urrejnë”, kjo është një zgjidhje e lehtë, por nuk është realiteti”.
Janullatos është pyetur edhe për raportet e tij me kryeministrin Rama.
Janullatos: Me zotin Rama jemi njohur që kur ishte kryetar bashkie dhe unë kam gjithë komoditetin –pse i dua me të vërtetë të gjithë njerëzit- që të komunikoj pa problem me zotin Rama dhe gjithë të tjerët. Në shumë gjëra mund të mos pajtohemi, mirëpo kemi një dialog. Dhe këtë iu them edhe këtu: mënyra më e mirë është dialogu. Dialogu jo gjithmonë është i lehtë, por që nga momenti që do të futemi në një heshtje, dyshimet nuk do të ndihmojnë që gjërat të ecin mirë”.
Sa u përket marrëdhënieve midis Greqisë e Shqipërisë, Janullatos e vendos veten, siç thotë, tek ndërtuesit e urave të miqësisë, bashkëpunimit dhe respektit reciprok. Ai nuk mbështet komentet e përhapura në shtypin grek, se tensionimi midis dy kryeqyteteve vitet e fundit është pasojë e dobësimit të pozitës së Greqisë për shkak të krizës ekonomike.
Janullatos: Greqia mbetet gjithmonë Fqinji i Shqipërisë. Dhe fqinjët e dinë që një moment të vështirë, fqinji është streha e të gjithëve. Nuk është rastësi që në Greqi ndodhen 700 mijë shqiptarë. Ka jashtëzakonisht shumë shqiptarë të cilët do të donin që marrëdhëniet midis të dy vendeve të jeni shumë më të fuqishme dhe shumë më të sinqerta. Ka edhe forca të tjera, edhe këtu edhe në Greqi, që do të preferonin tensionin. Unë, një jetë të tërë, ajo për të cilën po përpiqem është të ndërtoj ura. Ndërsa ka të tjerë që duan të hapin llogore dhe hendeqe. Dhe mjaft herë, disa prej nesh që duam të krijojmë marrëdhënie të tilla respekti reciprok dhe bashkëpunimi, gjendemi nën zjarrin edhe të njerës, edhe të tjetrës palë. Mirëpo besoj absolutisht se në të ardhmen do të jetojmë të gjithë bashkë”.