Në një sherr masiv që ka ndodhur në një ndërtesë banimi në qytetin e Bazelit dy net më parë katër persona kanë pësuar lëndime serioze dhe janë dërguar në spital. Policia ka ndërhyrë dhe ka arrestuar shtatë persona që ishin pjesë e sherrit.
Konflikti në fjalë ka ndodhur pak para ors 1 të pas mesnatës së 23 dhjetorit, bën të ditur Prokuroria Publike e Baselstadt-it, transmeton albinfo.ch. Në mesin e të lënduarve më rëndë janë pronari i banesave dhe një person tjetër.
Rrjedha e saktë e ngjarjes dhe as motivi i sherrit nuk dihet ende dhe është objekt i hetimeve, thotë prokuroria.
Ndërkohë mësohet se të arrestuarit janë tre persona me shtetësi zvicerane, dy me shtetësi kosovare, një me shtetësi shqiptare dhe një tjetër, me shtetësi serbe. Të gjithë të përfshirët në konflikt janë të moshave nga 21 deri në 32 vjeç.
Përveç mjekut të emergjencës, në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe një ambulancë e Kryqit të Kuq Gjerman dhe njësia e zjarrfikësve.
Në njoftimin e dhënë nga policia përmendet vetëm përkatësia shtetërore dhe jo edhe kombësia e të përfshirëve në konflikt. Nisur nga rrethanat e përshkruara të ngjarjes, nuk përjashtohet mundësia që të gjithë ose shumica e të përfshirëve të jenë shqiptarë por me shtetësi të ndryshme, përkatësisht nga: Zvicra, Kosova, Shqipëria dhe Serbia